Njëra nga të ftuarat e programit “E ardhmja është vajzë” nga Ermira Çausholli në ABC, ishte gazetarja e njohur Iva Tiço. Me gjithë çiltërsinë që shfaq në çdo dalje televizive ajo tregoi për suksesin e jetës në mënyrën më të këndshme të mundshme. Iva nuk quan sukses as vitet në gazetari, as pozicionet drejtuese, as titujt në gjithë këto vite por më shumë se kurrë faktin që ja ka dalë të jetë grua e pavarur dhe gjërat ti bëjë për veten.
“Puna ime më e mirë u kurorëzua vitin e shkuar me librin tim të cilit i vura titullin që ishkonte të gjithave: “Për vete”. Për mua ishte arritja më e madhe në jetë pasi ajo që mësuam vitin e fundit është që asgjë nuk është e përjetshme, as suksesi. Në një moment ti mund të jesh në majë dhe befas gjendesh pa gjë, pa punë dhe mbyllesh në shtëpi e të kthehesh aty ku nuk e kishe menduar ndonjëherë.
Por ajo që unë quaj sukses që të ndihmon edhe të ringrihesh, është kur ti i bën gjërat për veten tënde dhe jo për ambjentin që të rrethon apo për ti bërë qejfin njerëzve”, tha ajo. Iva shtoi gjithashtu që është lumturuar kur shumë vajza i kanë shkruar se kanë gjetur veten në librin e saj dhe janë identifikuar me të. /abcnews.al/