Shumë italianë po zgjedhin gjithnjë edhe më shumë Vlorën për të jetuar. Mirko Montaldo është një prej tyre. Ai së bashku me bashkëshorten mendon të pleqërojë në qytetin bregdetar.
Pas daljes në pension fillimisht vendosi të jetonte në Bullgari, por duket se për të Vlora është vendi i duhur për të shijuar pensionin. Thotë se jetesa këtu i ofron më shumë lehtësira.
“Në Vlorë kam ardhur para pak kohësh ndërsa jam duke menduar që të jetoj këtu. Prej pak vitesh kam jetuar edhe në Bullgari. Po ka probleme pasi më duhet të lëviz në periudha të ndryshme për të shkuar në Itali. Ndërsa këtu është më ndryshe kjo edhe për shkak tëë marrëveshjes mes dy shteteve, por edhe nga informacionet që kam marrë. Shikoj që ka shumë shtetas italianë në Vlorë dhe padyshim që është një vend i bukur dhe klimë shumë e mirë.”
Çmimet, por edhe klima janë ato që tërheqin më shumë fqinjët e moshës së tretë.
“Unë jam nga zona e Ligurias në afërsi të Sanremos në një provincë shumë pranë. Natyrisht që të jetosh në një vend tjetër ka shumë gjëra të ndryshme, por nga cfarë kam parë vendi ofron mjaft për të jetuar. Natyrisht që kam marrë informacione edhe nga shtetas të tjerë italianë që jetojnë në Vlorë dhe më kanë treguar gjithçka për Vlorën dhe Shqipërinë. Tashmë po shoh qytetin dhe shumë shpejt do të zhvendosem pikërisht këtu.”
Transferimi i pensionistëve italianë në Shqipëri pritet të sjellë pasoja pozitive nga pikëpamja ekonomike dhe sociale./abcnews.al


