Italia propozon ligj të ri, dënime më të ashpra për ata që bllokojnë rrugët gjatë demonstratave

schedule12:38 - 12 Shtator, 2024

schedule 12:38 - 12 Shtator, 2024

Një ligj i ri i promovuar nga shumica qeverisëse e qeverisë Meloni dhe që pritet të marrë “dritën jeshile” përfundimtare nga parlamenti italian javën e ardhshme, parashikon dënime më të rrepta për qytetarët që bllokojnë rrugët me demonstratat e tyre.

Në veçanti, rregullat e reja parashikojnë dënimin e përgjegjësve deri në një muaj burg, por në rastin e mobilizimit masiv dënimi mund të arrijë deri në dy vjet burg.

Analistët theksojnë se ky ligj i ri po miratohet kryesisht për të kufizuar demonstratat e anëtarëve të organizatave mjedisore, si “Brezi i fundit”, të cilat shpesh ndalojnë qarkullimin në rrugë dhe bulevardë.
Në Itali, megjithatë, sipas legjislacionit aktual, dënimet deri në katër vjet burg mund të zëvendësohen me dënime alternative.

Në të njëjtën kohë, qeveria Meloni miratoi edhe masa të reja për përgjegjësit e zënies së pasurive të paluajtshme, me burgim nga 2 deri në 7 vjet. Sipas ligjit të ri, në rast se banesa e uzurpuar është e vetmja pasuri e paluajtshme e pronarit, policia do të mund të hyjë menjëherë në të dhe të largojë banorët.

Forcat opozitare theksojnë se këto janë “masa propagandistike”, pasi tashmë vendi ka ligje që mund të përdoren për rastet konkrete. Zyrtarë të Partisë Demokratike të majtë shtojnë se “në këtë mënyrë mund të ndëshkohen studentët dhe punëtorët që pretendojnë përmes mobilizimeve të drejtat e tyre”.

Megjithatë, qeveria e Romës përgjigjet se masat e deritanishme kufizojnë dhe vonojnë mundësinë e ndërhyrjes gjyqësore./abcnews.al