Italia “po plaket”, ulet numri i lindjeve në vend

schedule15:44 - 26 Tetor, 2023

schedule 15:44 - 26 Tetor, 2023

Italia po pëson një ulje drastike të lindjeve në vend, sipas të dhënave të fundit të Institutit Kombëtar të Statistikave Istat.

Vitin e kaluar kanë lindur 339 mijë fëmijë në vend, një numër më i vogël me 1,7% krahasuar me vitin 2021. Mesatarja e fëmijëve për grua është 1,24 dhe në gjysmën e parë të 2023, lindjet janë 2500 më pak nga periudha e janarit-qershor 2022.

Sipas Istat, nga viti 2008 e deri më sot, lindjet në Itali kanë pësuar vazhdimisht rënie. Një nga arsyet është se, gjatë periudhës 1975-1995, në vend kanë lindur më pak gra në krahasim me njëzet vitet e mëparshme.

Në të njëjtën kohë, numri i fëmijëve të lindur nga prindër që nuk janë të martuar po rritet ndjeshëm. Sot ato arrijnë në 35% të totalit. Kjo përqindje rritet në 42%, duke iu referuar çifteve deri në 31 vjeç.

Më në fund, tregues është fakti se 48% e fëmijëve të lindur nga fillimi i vitit 2023 janë të parëlindur.

Instituti italian i statistikave thekson se, ndërsa në fillim të mijëvjeçarit shumë çifte shqetësoheshin nëse gjendja e tyre financiare i lejonte të kishin një fëmijë të dytë, tashmë i njëjti shqetësim ka të bëjë kryesisht me lindjen e fëmijës së parë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!