Italia përcjell Davide Astorin/Mijëra njerëz në funeralin e ish-kapitenit

schedule11:31 - 8 Mars, 2018

schedule 11:31 - 8 Mars, 2018

Italia dhe Firence përcollën ish-kapitenin e Fiorentinës, Davide Astorin. Mbi 10 000 njerëz morën pjesë në funeralin e futbollistit, që humbi jetën në moshën 31-vjeçare.
Ceremonia mortore nisi një ditë më parë.
Davide Astori ishte një simbol i futbollit të gjithë Italisë, jo vetëm i Fiorentinës, ndaj edhe trupi i tij u vendos më parë në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Koverçano.

Aty e nderuan të parët shokët e skuadrës dhe ata të kombëtares.
Aty e nderoi edhe klubi i Firences, ndërsa radha ishte e gjatë për njerëzit që donin të bënin homazhe përpara të ndjerit.
Ndërkaq, shtëpia e dytë e ish-kapitenit të Fiorentinës ishte stadiumi “Artemio Franki”, dhe arkivoli u dërgua pikërisht aty, në pritje të udhëtimit të fundit.

Makina me arkivolin përshkoi ngadalë rrugët e qytetit italian të kulturës, ndërsa në të dyja anët kishte një numër jashtëzakonisht të madh banorësh që deshën t’i jepnin ish-futbollistit përshëndetjen e fundit.
Rreth 10.000 ishin ata që lanë çdo punë për ta përcjellë.

Përveç njerëzve të thjeshtë të Firences, në funeral morën pjesë edhe protagonistë të shquar të futbollit.
Nuk mund të mungonin, në asnjë mënyrë, lojtarët e Fiorentinës, shokët e skuadrës, që e patën Astorin kapiten.
Ata shkuan të heshtur në Bazilikën e Santa Kroçes, në shqip të Kryqit të Shenjtë, por nuk ishin të vetmit.
Klube të rëndësishëm të Serisë A, si Roma apo Interi, sa për të përmendur disa, dërguan delegacionet e tyre, mes të cilëve kishte emra të shquar si Bruno Konti, Daniele De Rosi, Havier Zaneti apo Luçiano Spaleti.
Po ashtu, ish-ylli i Milanit, Filipo Inzagi.

Që nga Londra mbërritën me urgjencë futbollistët e Juventusit, menjëherë pas kualifikimit të rëndësishëm në Champions ndaj Totenhemit.
Të pranishëm edhe zyrtarë të lartë institucionalë, si ministri i Sportit, Loti apo Presidenti i Komitetit Olimpik, Malago.
Tifozët e Fiorentinës i kushtuan kore e thirrje heroit të tyre tashmë të pajetë, duke e cilësuar si “kapitenin e vetëm”.
Astori humbi jetën të dielën pas një ataku në zemër, ndërsa ndodhej në dhomën e tij të hotelit përpara ndeshjes që Fiorentina do të luante në Serinë A në fushën e Udinezes.
Ai la pas gruan e tij, Françeskën dhe vajzën 2-vjeçare, Vitorian./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!