Institucionet statistikore në Itali kanë konfirmuar se vendi ka hyrë në recesion, me ekonominë e kontraktuar me 0.2 për qind. Ndërkohë, kryeministri Giuseppe Conte ka deklaruar se recesioni mund të vazhdojë edhe përgjatë 2019-s.
Italia hyri në recesion fundvitin e kaluar, me ekonominë që u tkurr me 0.2 për qind në tremujorin e fundit të 2018-s. Shifra është bërë publike nga instituti vendas i statistikave, sipas të cilit bëhet fjalë për një tkurrje më të lartë se në tremujorin parardhës, kur kontraktimi ishte 0.1. Sipas autoriteteve italiane, agrikultura, pylltaria, peshkimi dhe industria ndikuan në tkurrjen ekonomike, ndërsa rritja e eksporteve nuk ndihmoi për të ndryshuar trendin e rënies.
Kryeministri Giuseppe Conte deklaroi se recesioni ka të ngjarë të vazhdojë edhe përgjatë vitit 2019. Muajin e kaluar koalicioni qeverisës në Itali u detyrua të rishikonte buxhetin ekspansionist të vitit 2019, pas shqetësimeve të ngritura nga BE se mund të ndikonte negativisht tek niveli i borxhit publik të vendit. Ndryshe nga Italia, disa ekonomi të tjera të Bashkimit Europian u rritën me ritme më të larta se parashikimet.
Kështu, Franca dhe Spanja regjistruan përkatësisht kuotat e 0.3 dhe 0.7 për qind për periudhën e cituar më sipër. Megjithatë, shifrat e institucioneve të Unionit tregojnë se në të gjithë eurozonën rritja ekonomike vazhdon të vuajë. Ajo ka mbetur e palëvizshme në 0.2 për qind në tremujorin e fundit të vitit që lamë pas, njësoj si parashikimet e analistëve të tregut. Shifrat e agjencisë europiane të statistikave Eurostat tregojnë se në Bllokun prej 28 anëtarësh, në tremujorin e katërt të 2018-s rritja ishte 0.3 për qind./abcnews.al