Italia më në fund bind nën drejtimin e Mançinit

schedule17:56 - 15 Tetor, 2018

schedule 17:56 - 15 Tetor, 2018

Futbollit italian duket se po i kthehet një nga kombëtaret më të shquara. Italia fitoi në Poloni, për Ligën e Kombeve, por sidomos bindi me paraqitjen në fushë.

Edhe tifozët më besnikë e kishin humbur shpresën, por trajneri i tyre kishte të drejtë. Durimi është fjala e duhur për këtë Itali, e cila më në fund po nis kthesën nën drejtimin e Roberto Mançinit. Kjo thuajse nuk ndodhi as në Poloni, me ndeshjen e Ligës së Kombeve që po përfundonte pa gola, dhe me italianët pranë rënies nga kategoria. Sidoqoftë, goli i shënuar nga Biragi, I bëri drejtësi sfidës së stadiumin “Slask” të Horzhovit, pasi i tillë ishte dominimi i miqve. Të kaltrit e kishin detyrim që të reagonin pas zhgënjimeve në sfidat e para ndaj Portugalisë dhe pikërisht Polonisë, dhe pas dështimit të hidhur për të shkuar në finalet e Botërorit.

Mançini ishte i kënaqur, por sërish i kujdesshëm. “Ne dominuam, – tha trajneri në përfundim, – duhej të kishim shënuar më përpara dhe do të kishte qenë e padrejtë që të kishte përfunduar 0-0. Të gjithë lojtarët dhanë maksimumin. E di se do të duhet kohë të jemi aty ku duhet, por gjithsesi fitorja ishte e shkëlqyer. Mund të përmirësohemi shumë më tepër, por ju lutem bëni durim”. Falë golit të minutës së fundit, dhe falë lojës së mirë, kombëtarja këtë herë i pati mediat me vete. “La Gazeta delo Sport”: Kjo është Italia! Më në fund kombëtarja fiton dhe bind, 1-0 në Poloni! “Il Korriere delo Sport”: Shumë e bukur! Italia dominon në Ligën e Kombeve, godet dy herë shtyllën dhe feston në Poloni! “Tutosport”: Zemër e kaltër, Biragi! Lojtari vjollcë kthen Italinë tek suksesi në minutën e 92-të, shmang rënien nga kategoria në Ligën e Kombeve”.

Ekipi i Mançinit bëri për vete edhe tifozët, të cilët u shprehën të lumtur dhe me besim që kombëtarja do të dijë të jetë sërish e fortë, si dikur kur fitonte titujt botërorë. Të kaltrit vërtet zhmangën rënien në nivelin B të Ligës së Kombeve, por sërish pritet ta kenë të vështirë kualifikimin. Ata nuk e kanë fatin në duart e tyre, pasi mund të kenë sukses vetëm nëse gabon Portugalia./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!