Italia kthehet e madhe, “Të Kaltërit” triumfojnë 3-1 në Paris ndaj Francës

schedule17:16 - 7 Shtator, 2024

schedule 17:16 - 7 Shtator, 2024

Këto lloj skuadrash gjithmonë dinë të kthehen.

Edhe pse Italia zhgënjeu rëndë në Kampionatin Evropian në Gjermani, vetëm pak javë më parë, edhe pse dështoi totalisht në dy Kupat e fundit të Botës, sërish ata që veshin fanelën e kaltër mund ta bëjnë kthesën.

E treguan në një nga fushat më të vështira, në Paris ndaj Francës vendase, që ende është nënkampione e botës, duke fituar 3-1 me përmbysje në Ligën e Kombeve.

“Parc des Princes” shpresoi të shikonte fisnikët vendas, por princat kishin ardhur nga Apeninet.

Kjo, edhe pse Barcola kaloi “Gjelat” në epërsi pas vetëm 13 sekondave, goli më i shpejtë i shënuar nga Franca, dhe më i shpejti në histori pësuar nga italianët.

Federico Dimarco barazoi që në pjesën e parë, në minutën e 30’-të, ndërsa përmbysja erdhi pas pushimit. Ajo u arrit me golat nga Frattesi dhe Raspadori, pra dy rrjeta “zikaltër”.

Skuadra e trajnerit Luciano Spalletti luajti si e barabartë me vendasit, që kishin në fushë yje si Mbappe, Griezmann, Theo Hernandez, Maignan, Kante apo i riu i PSG-së, Barcola.

“Itali e rilindur”, titullon e përditshmja milaneze, “La Gazzeta dello Sport”: “Fitore e çmendur në Paris. Leksion, Francës!”

Ja edhe “Il Corriere dello Sport” që është lakonike me titullin “al italiania”, pra “si italianët”! Debutim super në Ligën e Kombeve, fitore historike në “Parc des Princes”!

Shumë kuptimplotë titulli I të përditshmes franceze, “L’Equipe”: “Kthim në bankat e shkollës! Edhe pse në avantazh, Franca zhgënjeu pas Evropianit!”.

Ndërkaq, kjo ishte fitorja e parë e Italisë ndaj Francës që nga viti 2008, dhe skuadra e Spaletit I bëri nisjen më të mirë të mundshme Ligës së Kombeve. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!