Në Itali sot do të zhvillohet ceremonia e varrimit për 18 viktimat që humbën jetën nga shembja e urës në Xhenova. Shkon në 41 numri i viktimave, pasi një familje u gjet gjithashtu nën rrënojat e urës. Më pak se gjysma e familjeve kanë pranuar për një funeral shtetëror, ndërkohë që pjesa tjetër do të qëndrojnë të distancuar, për shkak të akuzave për neglizhencë ndaj qeverisë italiane. Deri më tani 17 familje kanë vendosur të mbajnë një ceremoni private.
Në nder të tyre është parashikuar të mbahet një ceremoni, e organizuar nga shteti Italian, që do të nisë sot në orën 11.00. Në homazhet në kompleksin Fiera di Xhenova pritet të marrin pjesë përfaqësues të qeverisë dhe ndoshta presidenti Serxho Matarela. Ceremonia do te kete dhe një meshë që do të celebrohet nga arqipeshkvi i Xhenovës, kardinali Anxhelo Banjasko dhe do të zhvillohen nën kujdesin e kryetarit të bashkisë Marko Buçi. Po sot në Itali do të jetë ditë zie kombëtare, me vendim të qeverisë së kryeministrit Konte.
Ura Morandi u shemb të martën ne 14 gusht, duke shkaktuar vdekjen e 41 personave dhe plagosjen e shumë të tjerëve./abcnews.al