Itali, shembet pjesa e mbetur e urës “Morandi”

schedule18:41 - 28 Qershor, 2019

schedule 18:41 - 28 Qershor, 2019

Në Itali është shembur me eksploziv pjesa e mbetur e urës “Morandi”, një pjesë e të cilës u rrëzua 11 muaj më parë duke marrë jetën e disa dhjetëra personave. Shpërthimi është bërë në mënyrë të kontrolluar për t’i hapur rrugë rindërtimit të strukturës.

11 muaj nga tragjedia që tronditi qytetin e Xhenovës dhe mbarë Italinë, një shpërthim i kontrolluar ka shembur në tokë atë çfarë kishte mbetur nga ura Morandi. Sipas mediave italiane, shpërthimi është bërë përmes një sasie dinamiti të vendosur në shtyllat e urës, me qëllim për të nisur rindërtimin e saj.

Shpërthimi i kontrolluar është ndjekur në distancë nga kryebashkiaku i Xhenovës, Marko Bucci, bashkë me zëvendës kryeministrat Mateo Salvini dhe Luixhi di Maio. Pas shpërthimit, një puhizë detare ka fryrë në zonën e urës Morandi dhe ka spostuar drejt maleve renë e madhe të pluhurit të shkaktuar nga rënia e shtyllave.

Brenda pak minutave, reja u shpërbë dhe u zhduk. Megjithatë, hidrantët vijuan të hidhnin ujë mbi rrënojat.

“Gjithçka shkoi sipas planit”, deklaroi kryebashkiaku Buçi, i cili falenderoi të gjithë personat që u përfshinë në operacion, duke u shprehur atyre mirënjohjen e tij.

“Tani kam besim të plotë tek rindërtimi”, komentoi ndërkohë zëvendës kryeministri Mateo Salvini.

Ndërsa partneri i tij i koalicionit qeverisës, Luigi di Maio bëri thirrje për ndëshkimin e kompanive konçesionare të ngarkuara me mirëmbajtjen e rrugëve dhe strukturave rrugore. Në orët që i paraprinë shpërthimit, autoritetet evakuuan mbi 3 mijë e 400 persona që jetojnë në një rreze prej 300 metrash nga vendi i shpërthimit./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!