Itali, Salvini padit Savianon

schedule09:43 - 21 Korrik, 2018

schedule 09:43 - 21 Korrik, 2018

Ministri i Brendshëm i Italisë ka paditur gazetarin e njohur Roberto Saviano, që e akuzon si “ministër të botës së krimit”. Përplasja mes Salvinit dhe autorit të librit “Gomorra” ka kulmuar për shkak të mbytjes së një nëne dhe bebes së saj në Mesdhe.

Ministri i Brendshëm i Italisë, njëkohësisht kryetar i partisë së ekstremit të djathtë, Matteo Salvini ka paditur për shpifje shkrimtarin e njohur Roberto Saviano. Përmes një postimi në Twitter, gazetari akuzonte Salvinin për vdekjen e emigrantëve që përpiqen të arrijnë Italinë, duke e cilësuar “ministër të botës së krimit”.

Në reagimin e tij, Salvini ka deklaruar se i pranon të gjitha kritikat, por nuk lejon askënd ta akuzojë për bashkëpunim me mafien. Saviano është një kritik i ashpër i qeverisë së përbërë nga Liga e Veriut dhe Lëvizja 5 Yjet. Ai fitoi famë në vitin 2006 përmes librit “Gomorra”, ku denonconte aferat e krimit të organizuar napoletan.

Që prej atëherë, ai jeton nën mbrojtjen e policisë, por ministri i Brendshëm ka deklaruar disa herë se do t’ia heqë truprojat. Padia e fundit vjen pasi vjen pasi një grup spanjoll shpëtimi gjeti një grua dhe fëmijën e saj të vogël të mbytur në Mesdhe.

Saviano akuzoi rojën bregdetare libiane se braktisi emigrantët dhe fajësoi Italinë se e mbështet atë. Më pas gazetari postoi një video të trupave të pajetë dhe i shoqëroi me komentin: “Kush e di sa i kënaqur do të jetë ministri”.

Që kur qeveria populiste mori pushtetin në qershor, Salvini ka zgjedhur një linjë të ashpër ndaj emigracionit, duke refuzuar shumë anije me klandestinë që kërkonin akses në portet italiane dhe duke bërë thirrje për deportime në masë.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!