Ministria e Transporteve në Romë ka publikuar një raport ku fajëson kompaninë “Autostrada për Italinë” për shembjen e urës Morandi një muaj më parë. Në raportin e saj, ministria prezanton prova që e autorizojnë t’i tërheqë kompanisë koncesionin për mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore.
Qeveria italiane ka publikuar të martën një raport ku fajëson kompaninë për mirëmbajtjen e autostradave për shembjen e urës Morandi muajin e kaluar. Përmes këtij raporti, ekzekutivi i udhëhequr nga Xhuzepe Konte pretendon se ka prova që e autorizojnë t’i heqë koncesionin e mirëmbajtjes kompanisë “Autostrada për Italinë”. Sipas raportit, grupi në fjalë ka dështuar në përmbushjen e parametrave të sigurisë për urën e Xhenovës, nga shembja e së cilës humbën jetën 43 vetë. Dokumenti nënvizon se koncesionari nuk mori masa për zgjidhjen e problemeve që vinin nga vjetërsia e strukturës. Gjithashtu kompania, që kujdeset për mirëmbajtjen e rreth 3 mijë kilometrave rrugë të Italisë, akuzohet për keqmenaxhim të shpenzimeve që kishte marrë në dorë në kuadër të koncesionit. “Autostrada për Italinë”, pjesë e konsorciumit “Atlanta” i kontrolluar nga famlja Beneton, nuk ka reaguar në lidhje me raportin, por vlera e aksioneve të saj në bursë ka rënë me 0.7 për qind pas publikimit të tij. Ndër të tjera, qeveria në Romë nuk dëshiron që ajo të përfshihet në rindërtimin e urës, ndërkohë që prokurorët që po drejtojnë hetimet kanë deklaruar se punimet për strukturën e re duhet të nisin të paktën 2 muaj më vonë, derisa ekspertët të bëjnë inspektimet e duhura. /abcnews.al