Itali, Liga e Veriut paraqet mocion kundër qeverisë

schedule12:00 - 9 Gusht, 2019

schedule 12:00 - 9 Gusht, 2019

Partia Liga e Veriut në Itali ka përgatitur një mocion mosbesimi për rrëzimin e qeverisë, pas mosmarrëveshjeve me partnerin e koalicionit Lëvizja 5 Yjet. Teksa vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme, partia e udhëhequr nga Mateo Salvini kryeson ndjeshëm në sondazhe.

Partia Liga e Veriut në Itali, që luan dhe rolin kyç në koalicionin qeveritar ka deklaruar se do të paraqesë një mocion mosbesimi në Senat, në mënyrë që qeveria të rrëzohet dhe që vendi të shkojë sa më shpejt në zgjedhje të parakohshme. “Ata që e çojnë kohën kot vetëm sa dëmtojnë vendin”, thuhet në një deklaratë për shtyp të Ligës. Vetëm një ditë më parë, kryetari i saj, Mateo Salvini deklaroi se bashkëqeverisja me partinë anti-sistem, Lëvizja 5 Yjet ishte krisur.

Refuzimi i 5 Yjeve për të dhënë konsensusin për ndërtimin e një linje hekurudhore që do të lidhë Italinë me Francën ishte e fundit e përplasjeve me Ligën e Veriut. Kryetari Luixhi Di Maio, i njohur për qëndrimin e tij kundër linjës Torino-Lion, ka deklaruar se partia e tij nuk i trembet një procesi të ri zgjedhor. Në zgjedhjet e fundit, 5 Yjet fituan më shumë vota se Liga, por tani anketat sugjerojnë se shifrat kanë ndryshuar.

Partia e Salvinit është shumë më përpara në sondazhe, e favorizuar edhe nga qëndrimi i saj kundër emigracionit ilegal. Ndërsa në zgjedhjet europiane të mbajtura në maj, Liga kryesoi me 34 për qind të votave në Itali, ndërsa 5 Yjet siguruan vetëm 17 për qind. Aktualisht, Parlamenti italian ka mbyllur dyert për stinën verore dhe i takon presidentit të Senatit të vendosë se kur ta thërrasë atë. Ndërsa presidenti i Republikës, Serxho Matarela është ai që do të thotë fjalën e fundit dhe i vetmi autoritet që mund të shkrijë parlamentin dhe të thërrasë zgjedhjet./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!