Itali, Liga e Veriut i shtrin dorën e bashkëpunimit Lëvizjes 5 Yjet

schedule18:52 - 14 Mars, 2018

schedule 18:52 - 14 Mars, 2018

Liga e Veriut në Itali i ka shtrirë dorën e bashkëpunimit Lëvizjes 5 Yjet. Por ish-kryeministri Berlusconi, aleati kryesor i radikalëve, ka kundërshtuar idenë e liderit Matteo Salvini.

Kryetari i Ligës së Veriut në Itali, Matteo Salvini është shprehur i hapur për një bashkëpunim me kryetarin e Lëvizjes 5 Yjet, Luigi di Maio, për formimin e qeverisë.

“Të shohim nëse kemi ide të përbashkëta. Deri tani mes nesh nuk ka patur asnjë kontakt, por shpresoj të realizohet. Do t’i telefonoj”, ka thënë Salvini. Kreu i radikalëve ka nënvizuar se me Di Maion do të diskutojë për drejtimin e dhomave të Parlamentit italian, por kundër këtij opsioni ka dalë aleati kryesor i tij, ish-kryeministri Silvio Berlusconi.

“Unë atyre ua hap derën vetëm për t’i përzënë”, ka thënë lideri i Forza Italia në lidhje me 5 Yjet. Sa i takon mundësisë që Salvini të marrë presidencën e Senatit italian, Berlusconi është shprehur: “Të shohim, për momentin asgjë nuk është e mirëfilltë”.

Edhe Salvini nga ana e tij u është përgjigjur gazetarëve duke thënë se, si për presidencën e Senatit ashtu edhe për atë të Dhomës së Deputetëve do të zhvillohen bisedime gjithëpërfshirëse dhe do të arrihet një zgjidhje konsensuale.

“Nuk do të ketë zgjidhje të njëanshme apo arrati të njëanshme. Qendra e djathtë do të mbetet kompakte dhe do të bëj gjithçka që qytetarët të mos shkojnë sërish në votime në muajt e ardhshëm”, ka thënë Salvini./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!