Itali/Fryhet përroi në jug të vendit, humbin jetën 5 ekskursionistë

schedule21:59 - 20 Gusht, 2018

schedule 21:59 - 20 Gusht, 2018

5 ekskursionistë kanë humbur jetën në jug të Italisë, pasi janë përfshirë nga rryma e një përroi. Të rinjtë ishin pjesë e një grupi që po vizitonte kanionet e zonës dhe skuadrat e shpëtimit druhen se mund të ketë edhe persona të humbur.

Të paktën 5 persona kanë humbur jetën të hënën në jug të Italisë, kur ujërat e një përroi malor janë fryrë papritur pas reshjeve. Viktimat janë pjesë e një grupi ekskursionistësh që po vizitonin zonën në afërsi të qytetit Çivita’, në rajonin e Kalabrisë. Disa prej tyre, mes të cilëve një fëmijë, kanë arritur të ngjiten në një vend më të lartë, ndërsa të tjerë janë shpëtuar nga skuadrat e emergjencës. Disa zona përreth përroit Raganelo, pjesë e parkut kombëtar të Polinos, ndodhen në fund të një thellësie prej 1 kilometër dhe skuadrave të shpëtimit u është dashur të zbresin duke përdorur litarët për t’u ardhur në ndihmë të mbijetuarve.

Një zyrtar i mbrojtjes civile ka deklaruar se nuk dihet ende se sa persona po merrnin pjesë në ekskursion, ndërsa ka shtuar se viktimat dyshohet se janë shtetas italianë. Deri tani është rekuperuar vetëm një prej trupave, ai i një vajze 24-vjeçare. Ndërsa trupat e viktimave të tjera dyshohet se janë përfshirë nga rryma dhe ndodhen disa kilometra larg vendit ku ndodhi ngjarja. Gjithashtu, autoritetet druhen se mund të ketë edhe persona të humbur. Grupi përbëhej nga të rinj që po vizitonin grykët dhe kanionet e zonës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!