Itali, formimi i qeverisë në dorë të Presidentit Mattarella

schedule18:44 - 17 Prill, 2018

schedule 18:44 - 17 Prill, 2018

Dy ditët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për Italinë, për krijimin e qeverisë së re. Lëvizja e radhës do t’i takojë presidentit Mattarella, të cilit do t’i duhet të mandatojë një kryeministër paraprak për të zgjidhur ngërçin paszgjedhor.

Në misionin e vështirë për formimin e qeverisë së re të Italisë, lëvizja e ardhshme i takon presidentit Sergio Mattarella. Të mërkurën dhe të enjten kreut të shtetit do t’i duhet të vendosë se kujt do t’i japë mandatin paraprak të kryeministrit për të zgjidhur ngërçin e krijimit të mazhorancës së re. Sipas raportimeve të së përditshmes “La Repubblica”, emrat në tryezën e presidentit janë katër: Elisabetta Alberti Casellati, Matteo Salvini, Luigi Di Maio dhe Roberto Fico. Përparësi pritet t’i jepet qendrës së djathtë, nisur nga fakti se më i mundshëm duket opsioni për një ekzekutiv të përbërë nga Lëvizja 5 Yjet dhe i gjithë koalicioni rival, i përbërë nga Liga e Veriut, Forza Italia dhe Vëllezërit e Italisë. Këto të fundit së bashku kanë marrë më shumë vota nga të gjithë, 37 për qind, në zgjedhjet e 4 marsit të kaluar. Për këtë arsye, e para që do të thirret për një detyrë paraprake mund të jetë kryetarja e Senatit. Elisabetta Alberti Casellatit, eksponente e partisë së ish-kryeministrit Berlusconi, do t’i takojë detyra për të shqyrtuar shanset për një marrëveshje mes 5 Yjeve dhe qendrës së djathtë. Caktimi i Matteo Salvinit për detyrën në fjalë, për Mattarellën përbën më shumë se një kontradiktë të thjeshtë. Kjo, për shkak të qëndrimeve pro-ruse të shprehura nga lideri i Ligës në lidhje me krizën siriane, të cilat po krijojnë shqetësime tek aleatët euro-atlantikë të Italisë. Gjithashtu, mbështetja e Salvinit për presidentin Vladimir Putin bie ndesh me prirjet diplomatike të Lëvizjes 5 Yjet, që i ka shprehur besnikëri pozicionimit të NATO-s. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!