Dy politikanët që garojnë për postin e kryeministrit të Italisë, Matteo Salvini dhe Luigi di Maio bashkohen në një pikë: ulja e taksave. I pari premton se do të sfidojë Brukselin, i dyti shprehet i hapur për të dëgjuar partitë e tjera.
Liderët e partive që dolën fituese në zgjedhjet e së dielës në Itali kanë shpalosur planet e tyre ekonomike në përpjekje për të siguruar mbështetje. Matteo Salvini i Ligës së Veriut ka premtuar se do të sfidojë Brukselin duke shkurtuar taksat për italianët.
“Kam lexuar se Brukseli kërkon taksa të reja. Ne do të prezantojmë një plan alternativ bazuar në të kudërtën, për më pak taksa. Në Bruksel do të mbeten të kënaqur sepse të gjithë gëzohen kur Italia ecën përpara”, ka thënë Salvini.
Ai i ka shtrirë dorën e bashkëpunimit qendrës së majtë të kryesuar nga Partia Demokratike, duke thënë se shprehon që ata do të pranojnë t’i japin vendit një rrugëzgjidhje, në kushtet kur e djathta nuk ka shumicën e mjaftueshme për të qeverisur.
Ndërkohë, lideri i Lëvizjes 5 Yjet, Luigi di Maio ka bërë një sërë propozimesh të cilat sipas tij mund të përfshihen në planin ekonomik afatgjatë të qeverisë në ikje.
“Ne duam të lëvizim me shpejtësi. Nëse partitë e tjera duan të propozojnë masa të tjera që ndihmojnë popullin, atëherë ne jemi gati t’i dëgjojmë”, ka thënë Di Maio për “Corriere della Sera”.
Plani i qeverisë duhet të pranohet brenda datës 10 Prill dhe zoti Di Maio ka theksuar se propozimet e tij do të shërbejnë si pikë referimi për marrëveshjet eventuale me partitë e tjera./abcnews.al