Itali, Ermal Meta nderohet me “Çelësin e Qytetit” të Barit

schedule22:46 - 29 Mars, 2018

schedule 22:46 - 29 Mars, 2018

Bashkia e qytetit të Barit ka nderuar me “Çelësin e Qytetit” kant-autorin Ermal Meta. Artisti me origjinë shqiptare mbërriti në qytetin jugor të Italisë në moshën 13-vjeçare dhe atje hodhi hapat e parë në botën e muzikës.

Këngëtari me origjinë shqiptare, Ermal Meta do të nderohet me “Çelësin e Qytetit” të Barit. Çmimi do t’i dorëzohet atij të shtunën, në një ceremoni të posaçme që do të mbahet në bashkinë e qytetit jugor të Italisë.

Meta, i cili u shpall fitues në festivalin e Sanremos, ka jetuar gjatë në Bari, ku ka mbërritur në moshë të vogël. Ky çmim i shkon atij për talentin e jashtëzakonshëm dhe suksesin e merituar që ka arritur falë personalitetit dhe stilit të tij të veçantë, thuhet në motivacionin e bashkisë.

Objekti i jepet kantautorit edhe në shenjë mirënjohjeje, pasi pikërisht në Bari ai bëri hapat e parë në botën e muzikës, ku trajton tema të aktualitetit.

“Të flasësh për dhunën në familje apo për frikën nga atentatet terroriste nuk është e lehtë, por Ermali e bëri duke u dhënë zë ndjenjave me të cilat përballemi të gjithë e që na kujtojnë se i vetmi besim që nuk njeh kufij është ai i të qenurit human”, thuhet në motivacion.

Vetë Meta ka reaguar përmes një statusi në Facebook, ku është shprehur i nderuar, i prekur dhe natyrisht mirënjohës për këtë vlerësim.

Ky çelës nuk hap dyer, por kujtimet e mia më të ëmbla e më të thella. Ju falenderoj nga zemra”, ka thënë këngëtari.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!