27 emigrantë në moshë të mitur janë lejuar të zbresin nga anija e shpëtimit “Open Arms”, e cila ka ankoruar në ishullin italian të Lampeduzës. Zëvendës kryeministri Mateo Salvini ka lejuar zbarkimin e tyre, edhe pse ka theksuar se kjo gjë bie ndesh me politikat e tij.
Ministri i Brendshëm i Italisë, Mateo Salvini është dorëzuar përpara presionit të kryeministrit Xhuzepe Konte, duke pranuar të lejojë zbritjen nga anija me emigrantë të 27 fëmijëve të pashoqëruar nga prindërit. Të miturit u lejuan kështu të zbrisnin në ishullin italian të Lampeduzës pas më shumë se 16 ditë në det.
Ndërkohë, mbi 100 emigrantë të tjerë mbeten në bordin e anijes spanjolle të shpëtimit “Open Arms”. Kryeministri Konte e kishte quajtur Salvinin një njeri të obsesionuar nga mbajtja larg porteve italiane të emigrantëve.
Gjithashtu, të premten, dy ministra refuzuan të nënshkruanin urdhrin e tij, që i ndalonte anijes të ankoronte në Lampeduza. Por në një letër të shkruar të shtunën Salvini, me ngurrim i bëri të ditur kreut të qeverisë se mund të lejonte të vegjlit që ndodheshin në anijie, edhe pse theksoi se kjo gjë bie ndesh me politikat e tij.
I menjëhershëm ishte reagimi i stafit të “Open Arms”, që përmes një postimi në Twitter u shpreh: “Evakuimi i të vegjëlve u arrit. Shumë lotë. Ata kanë lënë pas miq të shumtë dhe shokë udhëtimi”.
Grupi i bamirësisë tha se të rriturit që mbetën të varkë dhe po ashtu dy fëmijë të shoqëruar nga prindërit po jetojnë në kushte të vështira. Ishulli i vogël i Lampeduzës prej kohësh ka qenë një magnet për emigrantët afrikanë që largohen nga dhuna dhe varfëria./ABC News Albania 24/7