Itali, Di Maio dhe Salvini me sytë nga e majta

schedule21:29 - 6 Mars, 2018

schedule 21:29 - 6 Mars, 2018

Dy ditë nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme në Itali, Lëvizja 5 Yjet dhe Liga e Veriut janë vënë në kërkim të aleatëve për të formuar mazhorancën qeverisëse. Ndërsa refuzojnë njëra-tjetrën, të dyja po përpiqen të joshin të majtën.

Liderët e partive fituese në zgjedhjet e përgjithshme të Italisë, Luigi di Maio dhe Matteo Salvini u kanë dërguar sinjalet e para fraksioneve që i konsiderojnë të denja për krijimin e një aleance qeverisëse. Dy ditë nga procesi elektoral, Di Maio ka hartuar një listë me 10 pika që do t’ua propozojë partive të tjera për të krijuar një mazhorancë.

Sipas raportimeve të mediave italiane, Lëvizja 5 Yjet i ka kthyer sytë nga PD, me kushtin e vetëm që të lërë jashtë ish-kryeministrin Matteo Renzi. Janë të shumtë në radhët e partisë së themeluar nga Beppe Grillo që preferojnë një dialog me qendrën e majtë, por dhe me partinë të Lirë e të Barabartë. Ajo që duket e qartë, të paktën deri më sot, është refuzimi i një aleance me Ligën e Veriut të Matteo Salvinit.

Ky i fundit ka deklaruar se, kush e pranon programin e Ligës është i lirë t’i bashkohet asaj. Duke refuzuar marrëveshjet partiake, Salvini ka theksuar se qendra e djathtë do të hyjë kompakte në Presidencë për të marrë mandatin. “Ka një parlament, një kandidat për kryeministër dhe një program që do ta nxjerrë Italinë nga gropat thithëse.

Kush dëshiron të mbështesë këtë program ne e pranojmë, por marrëveshje partiake nuk bëjmë”, ka thënë Salvini. Ai ka komentuar edhe pozitat e qendrës së majtë dhe atë të Matteo Renzit në PD. “Renzi është viktimë e arrogancës së tij”, ka thënë Salvini, duke u shprehur i gatshëm të presë atë pjesë të së majtës që shkon kundër rrymës së ish-kryetarit të saj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!