Në përpjekje për të siguruar votëbesimin për kabinetin e tij të dyte, kryeministri i Italisë, Xhuzepe Konte ka paraqitur në Parlament programin e qeverisë së re, që ka bërë bashkë Lëvizjen 5 Yjet dhe Partinë Demokratike. Në qendër të programit jane ligji për bilancin dhe politikat për emigracionin, politikat për ambjentin, të drejtat e njeriut dhe reformat.
Gjithashtu, Konte nuk ka fshehur interesin për një marrëdhënie më të fortë të Italisë me Europën, duke shprehur shpresën për hapjen e një kapitulli të ri.
“Sfidat që na presin janë të shumta, duke nisur nga bilanci financiar që duhet ta fusë vendin në shinat e një perspektive solide zhvillimi”, ka thënë Konte gjate debatit në Parlament.
Kryeministri Italian është shprehur i vetëdijshëm se manovrat në këtë drejtim do të jenë të vështira, por ka shtuar se nuk do të jenë të pamundura.
Një tjetër pikë e prekur prej tij ka qenë shmangia e rritjes automatike të TVSH-së, për t’iu dhënë lehtësi bizneseve dhe qytetarëve. Shkollat dhe universitetet do të jenë një tjetër prioritet për qeverinë Konte, sipas të cilit këto institucione kanë nevojë për rritjen e cilësisë.
Kryeministri ka garantuar se shkurtimi i numrit të ligjvënësve do të jetë gjithashtu pjesë e programit. Gjatë fjalimit të tij nuk kanë munguar kontestimet e deputetëve të Ligës së Veriut, tashmë në opozitë, që bërtisnin “duam zgjedhje”. /ABC News Albania 24/7