Kryebashkiakët në të gjithë Italinë po i frikësohen një valë pretendimesh kompensimi pasi gjykata më e lartë e vendit vendosi se jeta e zhurmshme e natës mund të jetë e dëmshme për shëndetin e njerëzve.
Gjykata më e lartë urdhëroi këshillin bashkiak të Brescia-s që t’i paguante 50 mijë euro dëmshpërblim një çifti pasi ata janë ankuar për zhurmë gjatë natës, sipas gazetës italiane Il Messaggero.
Vendimi i jep fund një beteje ligjore dhjetëvjeçare që filloi kur çifti, i cili jeton në Carmine, një lagje e Brescias në veri të Italisë, e njohur për jetën e saj të gjallë të natës, kërkuan të drejtën për “një jetë të qetë” dhe “pushim”. Çifti pretendoi se kishin duruar netë të panumërta pa gjumë për shkak të bisedave të pandërprera të njerëzve të dehur afër shtëpisë së tyre.
Gjykata e Lartë e Apelit pranoi se çifti ishte në një pozitë të vështirë, duke lënë në fuqi vendimin e një gjykate më të ulët se zhurma nga baret dhe restorantet ishte e dëmshme për shëndetin e çiftit. Zhurma, sipas gjykatës, ishte shumë ndërhyrëse dhe e drejta e tyre për paqe dhe qetësi ishte shkelur.
Vendimi ka tmerruar kryetarët e qyteteve italiane ku jeta e natës është e zhurmshme, veçanërisht pas pandemisë.
Gjykata do të shqyrtojë një apel nga 29 banorë në zonën San Salvario, Torino. Nëse ata fitojnë, këshillit bashkiak mund t’i kërkohet të paguajë dëmshpërblim prej 1.2 milionë eurosh.
Edhe banorë të tjerë të qyteteve me jetë intensive të natës po kërcënojnë me veprime ligjore. Në Bari, 140 persona paraqitën një ankesë verën e kaluar, të zemëruar nga zhurma e vazhdueshme në zonën e Ubertinos. Kryebashkiaku i qytetit tha se situata është delikate dhe ka vendas që paralajmërojnë për dëmin ekonomik.