Padyshim që po luhet në nivelin më të lartë. Volejbolli, siç thuhet, është një sport intelektual, dhe Kampionati Botëror i kësaj disipline po i afrohet fundit në Filipine.
Në anën tjetër të rruzullit, për titullin do të luftojnë Italia dhe Bullgaria, që fituan bindshëm gjysmëfinalet. Të Kaltrit, kampionë në fuqi të botës, triumfuan në katërshe ndaj një rivali tepër të madh si Polonia.
Ishte përsëritje e finales së Botërorit të kaluar, që edhe pse u luajt në Katovicë të Polonisë, u fitua nga italianët me shifrat 3-1.
Këtë herë përfundoi 3-0 me rezultatin e seteve 25-21, 25-22 dhe 25-23, ndërsa mediat italiane e cilësuan ekipin e tyre si “heroik, të mrekullueshëm, intensive dhe kokëulur. Polonia nuk arriti dot finalen e katërt radhazi në Botërorë, ndërsa më parë ka fituar dy.
Ndonëse trajneri i madh argjentinas, Velasko, ka kaluar te kombëtarja e femrave të Apenineve, sërish djemtë po vazhdojnë sukseset nën trajnerin e tyre të sotëm, De Xhorxhi. Një mrekulli e madhe e Botërorit është Bullgaria.
Skuadra heroike ballkanase arriti në finale pas plot 55 viteve, pasi fitoi derbin e Europës Lindore ndaj Republikës Çeke. Aleksandar Nikolov ishte më i miri në fushë me 27 pikë në sulm, një pikë në bllok dhe tre nga shërbimi.
Në krah të tij vëllai Simeon Nikolov, ndërsa të dy janë bijtë e Vlado Nikolovit që fitoi medaljen e bronzit për Bullgarinë në 2006. Hera e fundit që bullgarët arritën finalen ishte në Kampionatin Botëror në 1970, kur u mundën papritur nga Republika Demokratike Gjermane në finalen e luajtur pikërisht në Sofie.
Finalja këtë herë luhet nesër në orën 12:30 me orën e Shqipërisë, në qytezën Pasai, pjesë e aglomeratit të kryeqytetit të Filipineve, Manila. Italia synon titullin e pestë, një më pak se rekordi që mbahet nga Bashkimi Sovjetik, ndërsa Bullgaria të parin.

