Itali, blic anti-terror në ishullin e Sardenjës, ndalohen 3 luftëtarë të huaj

schedule18:48 - 15 Shtator, 2018

schedule 18:48 - 15 Shtator, 2018

Policia italiane ka ndërmarrë të shtunën një operacion anti-terrorizëm në ishullin e Sardenjës, ku ka ndaluar 3 persona, të akuzuar se kanë luftuar përkrah milicive kurde në Siri e Irak. Personat në fjalë akuzohen për cënim të sigurisë kombëtare.

Policia italiane ka ndërmarrë të shtunën një seri kontrollesh në ishullin e Sardenjës, në dëm të tre personave, që rezulton se kanë luftuar në Siri e Irak përkrah milicive kurde. Mediat lokale bëjnë me dije se personat që kanë qenë subjekt i kontrolleve janë shtetas italianë. Njërit prej tyre i është sekuestruar pasaporta, pasi nga hetimet është zbuluar se po bëhej gati për të udhëtuar sërish drejt zonave të luftës. Hetimet ndaj tre luftëtarëve të huaj nisën pas disa videove dhe fotove të publikuara në rrjetet sociale, ku ata shfaqeshin të veshur me uniformë ushtarake dhe të armatosur me kallashnikovë, pranë luftëtarëve kurdë. Personazhi kyç i hetimit ka qenë shtetasi Pierluixhi Karia, i cili ka luftuar në radhët e fraksionit YPG, ose njësia për Mbrojtjen e Popullit Kurd; si dhe në ato të Batalionit Ndërkombëtar të Lirisë, që mbështet kurdët në luftën kundër Shtetit Islamik. Personit në fjalë i kontestohen vepra penale me qëllime terroriste. Fenomeni i luftëtarëve të huaj po përhapet gjithnjë e më shumë në Italinë fqinje. Muajin e kaluar 3 persona u arrestuan sepse kishin luftuar në lindje të Ukrainës përkrah njësive paraushtarake pro-ruse. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!