Pesë oficerë policie u arrestuan në Verona të Italisë, nën akuzën për rrahjen dhe torturimin e të paktën shtatë civilëve.
Ata janë lënë në arrest shtëpiak dhe sipas prokurorit kompetent, “të pandehurit (një inspektor dhe katër policë) në vend që të parandalojnë krimet, dyshohet se i kanë kryer vetë”.
Sipas mediave italiane, pesë oficerët e rendit kanë goditur me shuplakë dhe “verbuar” me sprej piper qytetarët të cilët ishin arrestuar dhe duhej të merreshin në pyetje. Prokurori përmend në mënyrë tipike se në njërin prej rasteve të pandehurit “dyshohet se kanë detyruar një qytetar të urinojë brenda zyrës së departamentit dhe më pas të shtriheshin në dysheme për ta pastruar atë”.
Në një rast tjetër, njëri nga pesë oficerët e policisë “ka goditur aq fortë një person, saqë ka humbur ndjenjat për disa minuta”.
Sipas drejtorit të policisë së Veronës, 23 kolegë të tjerë të të pandehurve, edhe nëse nuk kanë marrë pjesë në torturë, me qëndrimin e tyre mund t’i kenë mbuluar ose nuk i kanë raportuar këto sjellje.
Hetimi që çoi në arrestimet zgjati rreth tetë muaj.