Itali, anija me emigrantë afrohet në Lampeduza, Salvini: Nuk do ju lejojmë

schedule23:29 - 26 Qershor, 2019

schedule 23:29 - 26 Qershor, 2019

Një anije me emigrantë afrikanë ka vendosur t’i afrohet portit të një ishulli italian, duke sfiduar kështu urdhërin e zëvendës kryeministrit Mateo Salvini për të mos lejuar ankorimin në port. Vetë Salvini ka paralajmëruar se nuk do t’i lejojë refugjatët të zbresin nga anija.

Një varkë gjermane me emigrantë në bord është drejtuar për në portin e Lampeduzës, duke sfiduar paralajmërimin e qeverisë italiane për të mos iu afruar ishullit. Anija “Si Uoç 3” ka kaluar 14 ditë duke lundruar përreth ishullit që ndodhet në ekstremin jugor të Italisë.

Zëvendës kryeministri populist, Mateo Salvini deklaroi se në rast se anija hyn në port pasagjerët nuk do të lejohen të zbresin.

“Emigracioni nuk mund të menaxhohet nga anije të paligjshme. Ne jemi gati të bllokojmë çdo paligjshmëri. Durimi ynë ka marrë fund”, tha Salvini në një postim në rrjetet sociale.

Më herët autoritetet italiane paralajmëruan se do të vendosin gjoba të rënda ose do të konfiskojnë anijen në rast se ajo vijon kursin.

Kapiteni i “Si Uoç” u shpreh i vetëdijshëm që lundrimi drejt Lampeduzës mund të jetë i rrezikshëm, por shtoi se emigrantët janë të raskapitur dhe kanë nevojë për kujdes. Kompania akuzon institucionet europiane se nuk po përmbushin përgjegjësitë e tyre për t’u kujdesur për personat e shpëtuar në det.

Në janar, anija “Si Uoç 3” kaloi thuajse dy javë lundrim pa adresë pasi kishte shpëtuar një grup emigrantësh në Mesdhe, para se të lejohej të ankorohej në një port të ishullit të Siçilisë. Leja për të hyrë në port u dha pasi 6 vende, Franca, Gjermania, Malta, Portugalia, Rumania dhe Luksemburgu ranë dakord të pranonin emigrantët që ndodheshin në bord./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!