Shkaku nuk ishte aq serioz, por gjithsesi e shqetësoi. Ardian Ismajli nuk u ndje aspak mirë gjatë ndeshjes së Serisë A mes Empolit dhe Leçes, të cilën ekipi I tij e humbi 1-3 në shtëpi.
Ndryshe nga herët e kaluara, mbrojtësi I kombëtares shqiptare ishte ndër më të dobëtit për 21 minuta që qendroi në fushë, dhe pati arsye.
Ai humbi shumë dyluftime dhe ishte I ngadalshëm sepse pati dhimbje në dorën e majtë që e paska operuar pak ditë më parë.
Me Ismajlin në fushë, Empoli pësoi dy gola të shpejtë, ndërsa menjëherë ai kërkoi zëvendësim.
Ekzistoi frika se futbollisti 28-vjeçar pati probleme muskulore, sepse ashtu u kuptua nga mënyra sesi u shtri në fushë dhe kërkoi që të dilte jashtë.
Për fat të mirë, nuk ka asgjë të tillë, dhe lojtari jepet I gatshëm për ndeshjen në Serinë A në “San Siro” ndaj Interit të dielën e 19 janarit.
Deri në atë kohë, do të ketë kohë për ta marrë veten plotësisht, ndonëse nuk dihet nëse trajneri Roberto D’Aversa do ta zgjedhë titullar, apo do ta ulë fillimisht në stol.
Mbrojtësi tjetër I kombëtares, kapiteni kuqezi Berat Gjimshiti, e kaloi tepër shpejt lëndimin që pati në kokë, pas përplasjes me një kundërshtar në Udineze-Atalanta.
Ai ishte në fushë këtë të hënë në mbrëmje në duelin e kampionatit italian ndaj Juventusit në Bergamo.