Donald Trump është bërë subjekt talljesh dhe shakash për shkak të ambicieve të tij për të blerë Grenlandën. Përveç qeverisë lokale, që i ka bërë të qartë se ishulli nuk është në shitje, presidenti amerikan është vënë në lojë nga politikanët danezë, që e kanë cilësuar deklaratën e tij një shaka si ato të 1 Prillit.
Autoritetet në Grenlandë kanë deklaruar se ishulli nuk “është në shitje”, pas interesit të shprehur nga presidenti Donald Trump për blerjen e tij. Presidenti amerikan thuhet se e ka diskutuar blerjen e territorit autonom danez gjatë darkave dhe takimeve me këshilltarët e tij.
Por ministri i Jashtëm i ishullit më të madh në botë e ka hedhur poshtë këtë ide duke thënë: “Ne jemi të hapur për biznes, por jo për t’u shitur”. Planet e Trump janë hedhur poshtë gjithashtu edhe nga politikanët në Danimarkë, të cilët nuk i kanë kursyer as dozat e ironisë. “Duhet të jetë një shaka e marrë tipike e 1 prillit, por tërësisht jashtë stinës”, tha me ironi ish-kryeministri Lars Lok Rasmusen.
“Uoll Strit Xhornal”, që raportoi e para lajmin, shkroi se Trump kishte folur për blerjen e ishullit me shumë seriozitet. Ndërsa burime të cituara nga media të tjera kishin mendime të ndryshme nëse presidenti po tallej, apo e kishte seriozisht me qëllim zgjerimin e territorit të Shteteve të Bashkuara.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë nuk e ka komentuar lajmin. Grenlanda është ishulli më i madh në botë dhe është një territor autonom danez që ndodhet mes Atlantikut Verior dhe Oqeanit Arktik. Thuhet se Trump ka shprehur interes për këtë territor pasi është i pasur me burime natyrore si qymyrguri, zink, bakër dhe minerale hekuri./ABC News Albania 24/7