Pak ditë më parë në një takim me gratë dhe vajzat socialiste, kryeministri Edi Rama u ndal tek disa prej emrave në radhët e kësaj partie që janë gjithashtu pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në Tiranë. Mes tyre ishte edhe Mimi Kodheli, për të cilën kreu i PS-së rrëfeu edhe një histori kur ishte adoleshent dhe pëlqimin për deputeten socialiste, që tashmë kërkon një tjetër mandat.
Por a është kjo arsyeja se përse Mimi Kodheli është sot në parlament? Ish-ministrja socialiste e ftuar sonte në Radarin Informativ në ABC, rrëfimin e kryeministrit e cilësoi shaka që nuk ka ndikuar te karriera e saj.
“E keni kuptuar një gabim, besoj se ka qenë një shaka e kryeministrit. Unë jam në politikë, pasi jam thirrur t’i shërbej qytetit tim, Tiranës. Kisha pak kohë që isha kthyer nga jashtë, lashë një kryeqytet të mirë dhe gjeta një kryeqytet të deformuar, ato ishin vite të rëndësishme kur u bë kthesa e madhe, të rikthimit të ngjyrave, rikthimit në udhën e një kryeqyteti europian” tha ajo.
E pyetur nëse Edi Rama do ta thërriste që të bëhej pjesë e PS-së nëse nuk do ta kishte njohur më parë, Koledhi tregoi se ftesat nuk i kanë munguar edhe ish-kryeministri Sali Berisha. “Patjetër që (Edi Rama) ka thirrur edhe shumë që nuk i ka njohur në të kaluarën, unë jam ndër të paktët që janë thirrur për shkak të njohjes së prindërve tanë. Unë jam thirrur edhe nga liderë të tjerë politikë të mëparshëm për shkak të njohjeve”.
Edhe Berisha? “Po patjetër” pohoi Kodheli duke shtuar se “Kemi pasur njohje personale, si me Fatos Nanon. Ishte normale që të ishte kështu, kam qenë një person i spikatur edhe jashtë politikës. Mimi ka qenë komandante çete, një nxënëse shumë e mirë, ka qenë e thjeshtë të më gjeje”.
Por tashmë që e la jashtë zonës së sigurt në Tiranë, a kanë ndryshuar raportet me Edi Ramën? “Jo”. Edi Rama në momentin që zyrtarizoi listat tha se “ka një kohë për të marrë dhe një për të dhënë”, po a ishte ky momenti për Kodhelin për të dhënë pas asaj që ka marrë nga PS? “Jo nuk është kaq banale. PS u tregua shumë e guximshme me listat. PD nuk diti të dalë me inovacion, tregoi frikë” tha deputetja socialiste.
Pavarësisht se është e 21-ta në Tiranë, Kodheli shprehet e bindur. “Unë do të jem në parlament, kaq e thjeshtë është”. E sigurt? “Po. Sepse besoj te njerëzit, besoj te miqësitë e gjata dhe të forta. Jam e qetë dhe me këmbë në tokë në këtë fushatë” tha ajo./ db/ Abcnews.al