Corriere dello Sport u hap sot me lajmin se Andrea Pirlo do të shkarkohet para ndeshjes me Sassuolon dhe zëvendësi i tij, Igor Tudor do jetë në krye të skuadrës.
Disa orë më pas, kur Pirlo e ka mbyllur seancën stërvitore dhe është larguar nga Continassa, mediet italiane raportojnë një lajm të kundërt me atë që u raportua në paraditen e sotme.
Andrea Pirlo nuk do të shkarkohet të paktën deri në fund të sezonit dhe do të jetë në krye të stolit torinez në ndeshjen e mesjavës ndaj Sassuolos.
Juventus përballet me Sassuolo në “Mapei Stadium” të mërkurën, pastaj me Inter tre ditë më vonë. Më 19 maj Juventusi do të luajë finalen e Coppa Italia ndaj Atalantas, para se të mbyllë sezonin kundër Bolonjës në 23 maj.
“Zonja” aktualisht renditet në vendin e pestë në Serie A dhe rrezikon të mos kualifikohet në Champions League sezonin e ardhshëm, por edhe një vend në konkursin prestigjioz nuk duket se është i mjaftueshëm për Pirlon për të mbajtur punën e tij përtej verës. /abcnews.al