ISHP publikon udhëzuesin për shkollat: Mësuesit, sanitarët dhe rojet duhet vaksinohen, maska me detyrim

schedule16:21 - 31 Gusht, 2021

schedule 16:21 - 31 Gusht, 2021

Bashkë me rikthimin në shkolla, do të nisë të zbatohet edhe udhëzuesi për parandalimin e përhapjes së COVID, por këtë vit me disa rregulla shtesë. Një ndër to është edhe vaksina me detyrim, masë e cila do të nisë të aplikohet pas datës 30 shtator. Kjo pasi gjatë këtij muaji autoritetet i kanë lënë kohë arsimtarëve dhe studentëve të marrin vaksinës dhe të pajisen me pasaportën e vaksinimit. Përveç tyre të vaksinuar duhet të jenë edhe sanitarët dhe rojet që punojnë në ambientet e shkollës.

Në rast të mungesës së saj, çdo individ që futet në shkolla apo universitete duhet të paraqesë në mënyrë periodike vërtetim që nuk është infektues për të tjerët, përfshirë këtu test të kryer në 72 orët e fundit ose vërtetim që e keni kaluar COVID në 6 muajt e fundit.

Një ditë para nisjes së procesit mësimor shtesë,  Instituti i Shëndetit Publik ka publikuar udhëzuesin për të gjithë nxënësit dhe mësuesit. Maska është kthyer me detyrim për nxënësit e ciklit të lartë 9-vjeçar dhe atë të mesëm ndërkohë që për atë të ulët 9-vjeçar mbajtja e saj është me rekomandim.

Orari për hyrjen në shkollë do të rregullohet sipas një grafiku të hartuar nga drejtoria e shhkollës, ndërkohë që nxënësit nuk duhet të paraqiten në shkollë më vonë se orari i komunikuar nga mësuesi kujdestar.  Ata duhet të vendosen në distancë me një largësi jo më pak se 1.5 metra.

Ata që kanë simptoma duhet të njoftojnë mësuesin i cili në bashkëpunim me mjekun verifikon nëse është apo jo i sëmurë. Çdo ditë do të bëhet matja e temperaturës me termometër digjital dhe sprucim me dezinfektantë në duar. Asnjë nxënës nuk do lejohet të dalë nga godina gjatë ditës dhe të kthehet përsëri. Dera e shkollës do të jetë e mbyllur, ndërsa dritaret e klasave ku zhvillohet mësimi rekomandohet të qëndrojnë të hapura. m.v/abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!