Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me bandën e grabitësve të vilave luksoze në Sauk, e cila u godit dy ditë më parë nga policia.
Burime për abcnews.al bëjnë me dije se ky grup personash me preçedente të mëparshëm penal ishte nën vëzhgim nga policia prej 2 muajsh dhe informacioni ishte se do të grabisnin një pikë Exchange.
Po ashtu dyshimet janë se ky grup po përgatiste edhe vjedhjen e banesës së një zyrtari të lartë ku mendonin se do të gjenin shuma të medha parash.
Ndalimi 5 anëtarëve të bandës së grabitësve të vilave në Tiranë është bërë në kuadër të operacionit të koduar “START & STOP”. Të arrestuarit e këtij operacioni Dorjan Lamani (Qirjazi), Klodian Çypi, Halil Topalli, Redian Begaj dhe Dajvid Dosti pritet të dalin sot para gjykatës.
Ndërkohë Prokuroria kërkon arrest me burg për 5 të arrestuarit. Në këtë operacion janë sekuestruar gjithashtu një armë zjarri automatik, me dy krehër dhe 123 fishekë, 17.150 euro, 2 radio marrëse-dhënëse si ato që përdor Policia e Shtetit, bizhuteri të ndryshme floriri, si unaza, vathë, ora dore, varëse, medialionë, 1 automjet tip “Ford”, si dhe pajisje të tjera që shërbejnë për hapjen e bravave dhe dyerve të blinduara.
Policia ka sekuestruar një sërë sendesh me vlerë të vjedhura, armë zjarri, para cash. Gjithashtu nga hetimet e deritanishme rezulton se këta shtetas, pasi siguronin informacione dhe piketonin banesa ku kishte shuma parash dhe bizhuteri, organizonin dhe kryenin vjedhjen e tyre./abcnews.al