“Ishim pasqyra e popullit shqiptar”, Sylvinho: U larguam më të fortë nga sa mbërritëm

schedule23:07 - 25 Qershor, 2024

schedule 23:07 - 25 Qershor, 2024

“Legjionarët” e Kombëtares sonë kanë dalë jashtë çdo pritshëmire mbrëmjen e kësaj të hëne, teksa në “Merkur-Spiel Arena”, të Dyseldorfit janë mundur me rezultatin minimal, 1 me 0, nga “Furia e Kuqe” spanjolle, duke mbyllur përfundimisht aventurën e tyre, në Kampionatin Evropian të futbollit, Euro 2024.

Pas shumë e shumë deklaratësh, si ato pas ndeshjes e pas mbërritjes në aeroportin “Nënë Tereza”, tekniku Sylvinho ka folur sërish për ecurinë e “Legjionarëve”, në Euro 2024, kësaj here me anë të një postimi në profilin e tij zyrtar, në “Instagram”, nga ku është shprehur se ishte shumë krenar për atë që i treguan tifozëve në fushën e blertë.

“Dje mbyllëm pjesëmarrjen tonë në Euro 2024. Jam shumë krenar për atë që i treguam vetes dhe tifozëve të futbollit.  Ne ishim një ekip që dhamë gjithçka deri në fund, që luftuam për çdo top, për çdo pikë. Ne ishim pasqyra e popullit shqiptar. U larguam duke u ndjerë krenarë për atë që bëmë.

Dëshiroj të falënderoj të gjithë ata që ishin me ne në këtë kompeticion dhe kontribuan në performancën tonë. Faleminderit edhe tifozëve, të cilët shkëlqyen në tribunat e stadiumeve dhe na ndihmuan në këtë rrugëtim. Shqipëria largohet më e fortë nga sa mbërriti”,- shkruhet në postimin e plotë të teknikut Sylvinho. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!