Francesco Totti është një legjendë e gjallë e Romës. Kapiteni e nisi dhe e përfundoi karrierën në kryeqytetin italian. Ngjyrat verdhekuqe nuk i tradhëtoi kurrë, edhe pse shumë klube të mëdha evropiane ishin gati të bënin çmendurira për të siguruar shërbimet e tij.
Së fundmi ka zbuluar një prapaskenë interesante. Totti tregon gjithçka në një bisedë në “Instagram” me Damiano Coccia, i njohur me pseudonimin “Er Faina”, një personazh i rrjeteve sociale dhe tifoz i thekur i Lazios. “Isha 8 vjeç dhe luaja me Lodigianin. Disa skautë kishin telefonuar mamanë time dhe i kishin thënë: ‘Zonjë, ka dy opsione për djalin tuaj: të shkojë te Roma ose te Lazio’.
Ndërkohë, vëllai im po gjuante me shkelma poshtë tavolinës dhe i kërkonte mamasë të zgjidhte Romën. Gjyshi im ishte lacial, ndërsa babai ka qenë gjithmonë një tifoz romanist. Në fund zgjodhën, ashtu siç e dimë të gjithë. Lojtari më i fortë i Lazios? Alessandro Nesta, ai është simboli i Lazios. Ka qenë një ndër mbrojtësit më të fortë në planet.
Lazio kishte një skuadër zonjë në kohën e Cragnottit, realisht ishte një super skuadër. Do të pranoja një ofertë të bardhekaltërve për djalin tim? Do të mendohesha, por, duke e njohur mirë, Christian nuk do më lejonte të ulesha për të biseduar fare”, deklaron Totti. /abcnews.al

