Ish-zëdhënësi i NATO rrëfen për “78 ditët stresuese” të bombardimeve në Kosovë

schedule13:15 - 24 Mars, 2023

schedule 13:15 - 24 Mars, 2023

“78 ditët kanë qenë stresuese, por sigurisht që edhe më stresuese ishin për qytetarët e Kosovës që ishin në bodrume dhe të fshehur, dhe që duhej të duronin dhunën. Pra, jeta ishte shumë më e lehtë për mua në Bruksel sesa për të gjithë ju në Kosovë. Mirëpo kjo lidhje me popullin e Kosovës, ishte një moment magjik”, thotë ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea.

Zëri i NATO-s në kohën e luftës në Kosovë, kthehet në KosovaPress 24 vjet më vonë duke rrëfyer momente nga ajo kohë. Ai thotë Aleanca ishte e vendosur të ndalonte dhunën dhe shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë që po bëheshin atë kohë nga regjimi i Millosheviqit. Lufta ajrore e NATO-s me Serbinë kishte zgjatur plot 78 ditë, diçka që nuk ishte pritur edhe nga vet Aleanca.
Shea thotë se kishin shpresuar që fushata ajrore fillimisht të zgjaste 24 orë.

Megjithatë, ai thekson se për NATO-n nuk ishte e rëndësishme kohëzgjatja e operacionit por rezultati që po arrinte, e që ishte fundi i represionit dhe kthimi i popullit të Kosovës në shtëpitë e tyre. Por cili ishte mësimi që NATO ka marrë nga kjo fushatë e bombardimeve, tregon ish-zëdhënësi i Aleancës. Jamie Shea ishte zëri i NATO-s gjatë gjithë asaj periudhe të rëndësishme për Kosovën.

Ai u drejtohej mediave nga selia qendrore në Bruksel, po ishte fytyra që populli kosovar tashmë e njihte mjaft mirë. Ai kishte vizituar Kosovën menjëherë pas çlirimit, në qershor të vitit 1999.
Takimin me popullin kosovar ai e vlerëson si një nga momentet më të mira të jetës së tij. Ish-zëdhënësi i NATO-s thotë se Kosova e pavarur është realitet i pakthyeshëm dhe sipas tij Serbia
do të duhet të pranojë këtë.

Duke komentuar marrëveshjen e 18 marsit në Ohër, Shea thotë se normalizimi i marrëdhënieve do ta bëjë politikisht më të lehtë njohjen e Kosovës nga Serbia. Ai shpreson se me marrëveshjen për normalizim, Beogradi do të marrë një qëndrim më bashkëpunues duke mos inkurajuar asnjë lloj dhune në veri të Kosovës. Jamie Shea thotë se krimet serbe të kryera në Kosovë janë të njohura dhe sipas tij Serbia duhet të kuptojnë këtë, dhe të mbajë përgjegjësi, derisa thekson se vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet pajtimi.

Më 24 mars 1999, aeroplanët e NATO-s kishin lëshuar bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë.Urdhri ishte dhënë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Sulmet ajrore përfunduan më 9 qershor./kosovapress

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!