Partia e ekstremit të djathtë në Gjermani ka ekspozuar në ditët e fundit jetesën që ish-truproja e Osama bin Laden bën në vendin europian, i qetë, me familje dhe me asistencë sociale.
Një shtetas tunizian, dikur truprojë e Osama bin Laden, bën prej vitesh një jetë të qetë në Gjermani, ku përfiton edhe një asistencë financiare prej 1.168 euro. Lajmi është publikuar në mediat lokale pas denoncimit të partisë së ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë dhe është konfirmuar nga autoritetet.
Mediat gjermane e kanë publikuar vetëm pjesërisht emrin e tij, Sami A, për arsye privatësie, ndërkohë që vetë personi ka mohuar lidhjet me rrjetet xhihadiste. Bin Laden drejtoi rrjetin e Al Kaedës dhe urdhëroi sulmet shkatërruese të 11 Shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara.
Të paktën tre nga pilotët vetëvrasës ishin anëtarë të një celule të Al Kaedës me bazë në Hamburg, në veri të Gjermanisë. Në një proces gjyqësor të mbajtur në vitin 2005 në Dyseldorf, një dëshmitar deklaroi se Sami A kishte shërbyer për disa muaj në vitin 2000 si truprojë e sheikut të terrorit në Afganistan.
Asokohe, i pandehuri hodhi poshtë akuzat, por gjykata i besoi dëshmitarit. Ndërkohë, ajo vendosi kundër deportimit të tij në Tunizi, duke pranuar shqetësimin e tij se mund të binte pre e torturave. Aktualisht Sami A jeton në qytetin e Bokumit, në perëndim të Gjermanisë.
Ai është i martuar me një grua gjermane dhe ka 4 fëmijë. Në vitin 2007, aplikimi i tij për azil u refuzua për arsye sigurie dhe që prej atëherë i duhet të paraqitet çdo ditë në polici./abcnews.al