Ish-spiuni, Kremlini: Britania të tregojë prova ose të kërkojë falje

schedule14:53 - 19 Mars, 2018

schedule 14:53 - 19 Mars, 2018

Kremlini i ka kërkuar Mbretërisë së Bashkuar që të tregojë prova për akuzat se prapa sulmi me substancë kimike ndaj një ish spiuni qëndron Rusia. Ndërsa Bashkimi Europian me anë të një deklarate ka dalë në mbrojtje të qëndrimit të Londrës.

“Mbretëria e Bashkuar të tregojë prova për përfshirjen e Moskës në helmimin e ish-spiunit rus Sergei Skripal ose të kërkojë ndjesë”.

Kështu është shprehur zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke komentuar akuzat e Londrës, sipas të cilëve, pas sulmit ndaj ish-spiunit dhe të bijës në qytetin Salisbury, qëndron Rusia.

“Këto akuza duhet të sqarohen”, thotë ai.

Bashkimi Europian është shprehur në mbështetje të Britanisë së Madhe. Brukseli ka bërë me dije se i ka marrë shumë seriozisht akuzat zyrtare të Londrës kundër Moskës. Në një dokument të përbashkët, ministrat e jashtëm të BE-së “dënojnë me forcë” sulmin në Salisbury dhe nxisin Moskën “të dorëzojë në Organizatën e Ndalimit të Armëve Kimike OPAC, informacione të menjëhershme dhe të plota për programin për Novichok, agjentin nervor, që është përdorur për të helmuar ish spiunin rus dhe të bijën”.

“Përdorimi i armëve kimike nga çdokush, në çfarëdo lloj rrethane, është plotësisht e papranueshme dhe përbën kërcënim për sigurinë e të gjithëve”, shkruhet në dokumentin e Unionit Europian.

Ndërkohë, kjo çështje tensionoi mardhëniet mes Londrës dhe Moskës. Kryeministrja Theresa May vendosi të dëbojë nga vendi 23 diplomatë të Rusisë dhe vendosi sanksione ndaj disa biznesmenëve që cilësohen të afërt me Vladimir Putin. Nga ana tjetër edhe Kremlini ka kërcënuar me masa të tilla./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!