Ish shefi i rafinerisë lidhje me Hezbollah? Polonia nis hetimet pas zhdukjes së miliona dollarëve

schedule09:19 - 1 Maj, 2024

schedule 09:19 - 1 Maj, 2024

Polonia ka nisur hetimet lidhur me humbjet disa miliona dollarë në kesh nga dega polake e rafinerisë zvicerane Orlen dhe akuzat për lidhje me “organizatat terroriste” të ish shefit të saj, tha të martën kryeprokurorja e Varshavës, Malgorzata Adamajtys.

Faqja informative polake Onet njoftoi të hënën se ish shefi i kompanisë “Orlen Trading Switzerland” i referuar si Samer A. për shkak të ligjeve të privacisë, dyshohej nga ekipi i sigurisë së brendshme të kompanisë për kontakte me grupin militant Hezbollah të Libanit që mbështetet nga Irani.

Në një intervistë të martën me një radio private polake, Samer A. mohoi se kishte ndonjë lidhje me Hezbollahun.

“Kam qenë shumë herë në Poloni. Jam shtetas polak dhe kam pasaportë polake. Jam trajtuar si një qytetar i dorës së dytë nga autoritetet aktuale”, tha ai, duke shtuar se megjithëse aktualisht ishte jashtë vendit, ai nuk po fshihej nga drejtësia polake.

E pyetur mbi detajet e hetimit gjatë një konference shtypi, kryeprokurorja Adamajtys tha: “Ne po shqyrtojmë të gjitha informacionet, disa prej të cilave prokurorët i kanë mësuar nga organet informative, përfshirë lidhjet me organizatat terroriste”.

Vendet perëndimore, përfshirë SHBA-në, e cilësojnë Hezbollahun si organizatë terroriste. Bashkimi Evropian e klasifikon krahun ushtarak të Hezbollahut si një grup terrorist, por jo krahun e tij politik. Agjencia e lajmeve Reuters u përpoq pa sukses për të marrë komente nga zoti Samer A.

Kompania Orlen ka thënë se dega e saj “Orlen Trading Switzerland”, shkurtimisht, OTS, ishte përgjegjëse për humbjen e 400 milionë dollarëve që lidheshin me kontratat për blerjen e naftës nga Venezuela.

OTS ka thënë se u përpoq të përfitonte nga një pauzë e përkohshme e sanksioneve amerikane kundër Venezuelës duke bërë parapagesa me para në dorë për ndërmjetësit me të cilët nuk kishte punuar më parë. Kontratat u anuluan, tha OTS, pasi pauzës po i vinte fundi dhe cisternat nuk po ngarkoheshin. Firma Orlen ka njoftuar se aktualisht është duke kryer një auditim të operacioneve të degës OTS.

Samer A. është akuzuar në një hetim tjetër për mashtrime me TVSH-në midis viteve 2008-2013, tha të hënën një prokuror rajonal në Bydgoszcz. Ai u ndalua nga policia dhe u mor në pyetje nga një prokuror në shkurt dhe u lirua me kusht, shtoi prokurori.

Kritikët thonë se nën qeverinë e mëparshme, “Ligj dhe Drejtësi” (PiS), firma Orlen kishte ndihmuar në financimin e axhendës politike të partisë, përfshirë marrjen e kontrollit të disa mediave.

Kryeministri Donald Tusk tha të hënen se kishte thirrur kryeprokurorin e vendit dhe koordinatorin e shërbimeve sekrete për të diskutuar lidhjet e mundshme midis ish shefit të firmës Orlen, Daniel Obajtek dhe Hezbollah-ut.

Zoti Obajtek, një bashkëpunëtor i ngushtë i udhëheqësit të partisë “Ligj dhe Drejtësi” (PiS), Jaroslaw Kaczynski, reagoi në platformën e mediave sociale X, duke thënë se kryeministri Tusk “po kërkonte skandale atje ku nuk ka”. PiS tha vonë të martën në rrjetin X se zoti Obajtek do të ishte kandidat i saj në zgjedhjet e Parlamentit Evropian që zhvillohen në qershor./ VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!