Ish-sekretarit të NATO-s, Havier Solana i mohohet viza për në SHBA

schedule20:23 - 25 Qershor, 2018

schedule 20:23 - 25 Qershor, 2018

Një vizitë në Iran në kuadër të negociatave për marrëveshjen bërthamore ka penalizuar ish-shefin e NATO-s, Havier Solana, i cili nuk ka siguruar dot vizën për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara.

Ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana i është mohuar viza për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Aplikimi i tij në Sistemin elektronik që jep autorizimin për të udhëtuar drejt Amerikës ka marrë përgjigje negative për shkak se vite më parë ai ka bërë një vizitë në Iran. Për rrjedhojë zotit Solana, shtetas spanjoll, do t’i duhet të aplikojë për një vizë të plotë, që kërkon më shumë shpenzime financiare dhe një proces më të gjatë shqyrtimi. Rregullat për vizë amerikane janë ende ato të vendosura nga administrata Obama dhe nuk kanë lidhje me masat e marra nga administrata Trump ndaj vendeve me shumicë islamike. Sistemi elektronik që autorizon aksesin në Shtetet e Bashkuara ndalon vizën për çdo qytetar nga 38 vende të botës që kanë vizituar Iranin, Irakun, Libinë, Somalinë, Sudanin, Sirinë dhe Jemenin përpara 1 marsit të vitit 2011. Personat në fjalë duhet të aplikojnë për vizë pranë ambasadës ose konsullatës amerikane, ku duhet të zhvillojnë edhe një intervistë me stafin diplomatik. Zoti Solana, 75 vjeç, drejtoi NATO-n në periudhën mes viteve 1995-1999. Më vonë ai u bë shefi i Politikës së Jashtme të BE dhe ndihmoi në negociatat për marrëveshjen bërthamore të Iranit. Ai shkoi në Teheran në vitin 2013 për të ndjekur ceremoninë e marrjes së detyrës nga presidenti Hassan Rouhani. “Shkova atje për të përfaqësuar të gjithë ata që ishin përfshirë në negociata. Ky vendim më duket paksa dashakeq”, ka thënë Solana për një televizion spanjoll. Në maj të këtij viti, presidenti Trump njoftoi tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja bërthamore. /abcnews.al