Gjykata e Tiranës liroi nga qelitë e paraburgimit Ahmet Muçajn, ish-pronarin e “Kristal”. 69-vjeçari i akuzuar për “korrupsion në sektorin privat” dhe “falsifikim dokumentesh” do të hetohet në masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Përmes këtij vendimi, Gjykata e Tiranës liroi nga qelitë e paraburgimit Ahmet Muçajn, ish-pronarin e uniersitetit privat “Kristal”. Zbutja e masës së sigurisë u kërkua nga ana e prokurorit në sallën e gjyqit dhe u argumentua me moshën e të arrestuarit, i cili në pak muaj shkon në 70 vjeç.
Sipas vendimit, Muçaj duhet të qëndrojë i izoluar në banesën e tij në zonën e Komunës së Parisit në kryeqytet, si edhe urdhërohet të mos
komunikoje me persona të tjerë përveç bashkëjetuesve.
Sipas Prokurorisë, Muçaj dyshohet të ketë konsumuar elementë të veprave penale të “korrupsionit pasiv në sektorin privat” dhe të “falsifikimit të dokumenteve”. Ai u arrestua në kushtet e flagrancës, teksa po i doreëzonte një diplomë juridiku një vajze nga Laçi në këmbim të një shume prej 2500 euro. Studentja e rreme me emrin Rudina pranoi të bashkëpunojë me autoritetet, duke faktuar shitjen e diplomave të falsifikuara.
Sipas Prokurorisë, 1 mijë euro iu dorëzuan prej saj një ndërmjetësi, aktualisht i shpallur në kërkim, ndërsa shumë prej 1500 euro iu dha Muçajt pak para arrestimit. Diploma i përkiste universitetit “Kristal” i mbyllur në vitin 2014 për mosplotësim të kritereve të institucioneve të arsimit të lartë.
Prokuroria pritet të zgjerojë hetimet duke verifikuar edhe raste të tjera të ngjashme me diploma të lëshuar nga “Kristal” pas mbylljes.
Në një deklaratë për shtyp të bërë të mërkurën Ministria e Arsimit bëri me dije se nga verifikimet në regjistrat e “Kristal” pas mbylljes së tij kanë rezultuar 86 diploma false. /abcnews.al