Ish-prokurorja speciale në Maqedoninë e Veriut mori 350 mijë euro rryshfet

schedule16:26 - 6 Dhjetor, 2019

schedule 16:26 - 6 Dhjetor, 2019

Një shumë prej 350 mijë eurosh, të futura në një kuti këpucësh, I ishte dërguar prokurores speciale në Maqedoninë e Veriut, për të mbyllur një rast që ishte nën hetim. Gjithë shuma që duhej të jepej ishte 8 milionë euro.

Biznesmeni Jordan Kamçev i cili është protagonist i rastit “Zhvatja”  foli të premten në dëshminë e tij në gjykatë në Shkup, lidhur me përfshirjen e ish-kryeprokurores speciale Katica Janeva në përfitimin e parave permes shantazhit me ndërmjetësimin e moderatorit Bojan Jovanovski – Boki13.

Ai tha se procesi i hapur  nga ish-Prokuroria Speciale ndaj kompanisë së tij ishte i konstruktuar për ta zhvatur ate. Sipas tij, regjisorët e këtij rasti janë në gjykatë, duke drejtuar gishtin tek Boki 13, që siç tha Kamçev fillimisht i ka kërkuar reklamim në TV, më pas i ka ofruar një projekt biznesi.

Me rastin e ngritur ndaj tij për herë të parë Kamçev është njohur nga avokati Vasil Dimishkov, i cili i ka kërkuar 100 mijë euro, për masa më lehtësuese, por të gjitha këto janë refuzuar prej tij.

Biznesmeni ka thënë se në disa raste ka komunikuar dhe është takuar me Boki 13 dhe biznesmeni tjetër Kiçec, që ishin dy figurat e përfshira me Katica Janevën. Kamçev ka thënë se në një rast ka biseduar me telefon në prani të një personi të tretë, ndërsa në takim ka qenë edhe djali i saj, Llazar Janev.

“Një shumë prej 350 mijë eurosh është paguar nga Ana Kamçeva. Bojan Jovanovski i ka futur paratë në një kuti këpucësh dhe këtë dhuratë ia ka dërguar Katica Janevës. 150 mijë euro të tjera i janë dhënë Kiçecit”, tha Kamçev.

Ai tha gjithashtu se Boki 13 i ka thënë se duhej të jepte shuma mbi një milionë euro, sepse Katica Janjeva nuk do të dëgjonte për më pak se kaq.

Sipas tij, shuma totale për ta liruar nga ky proces dhe për të mos e ndjekur ka qenë 8 milionë euro dhe se kësti i parë që duhej paguar ishte një milionë euro./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!