Ish-presidenti i Perusë Alejandro Toledo u dorëzua në një gjykate në San Jose të premten pasi një gjykatës në Kaliforni urdhëroi ndalimin e tij ditë më parë, pas refuzimit të një apeli për të parandaluar ekstradimin e tij në vendin e tij, të cilin Lima e kërkoi që nga viti 2018 dhe Departamenti i Shtetit e miratoi atë në shkurt.
77-vjeçari Toledo akuzohet nga drejtësia peruane për korrupsion. Ai dyshohet se ka marrë 20 milionë dollarë gjatë mandatit të tij presidencial (2001-2006) nga grupi brazilian i ndërtimit Odebrecht në këmbim të kontratave të punëve publike.
Pasi u lëshua një urdhër arresti për të në vitin 2017, Toledo u arratis në Shtetet e Bashkuara. Ai u arrestua në vitin 2019 në SHBA, pasi kishte punuar në Universitetin Stanford, nga i cili kishte doktoruar.
Ai fillimisht u burgos, më pas u vu në arrest shtëpie në San Francisko, ndërsa iu desh të mbante një byzylyk monitorimi elektronik. Nëse dënohet nga drejtësia peruane, ai do të vuajë dënimin prej 20 vitesh burg.
Ai i ka mohuar akuzat ndaj tij dhe pohon se është viktimë e përndjekjes politike. Prokurorja Silvana Carrion tha për televizionin Canal N se beson se ekstradimi i Alejandro Toledos në Peru do të përfundojë brenda tre ditëve të ardhshme.
Toledo pritet të dërgohet në burgun ku mbahen dy ish-presidentët e tjerë peruan, Alberto Fujimori dhe Pedro Castillo.
Ai është një nga shtatë ish-presidentët peruan të dënuar ose që përballen me akuza penale për korrupsion: në listë përfshihen gjithashtu Alberto Fujimori (1990-2000), Oyada Umala (2011-2016), Pedro Pablo Kuczynski (2016-2018), Martin Vizcarra (2018- 2020) dhe Pedro Castillo (2021-2022). Një tjetër ish-president, Alan Garcia, kreu vetëvrasje për të shmangur arrestimin në vitin 2019.
Rasti Odebrecht është skandali më i madh i korrupsionit në Amerikën Latine. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, grupi brazilian i ndërtimit kishte korruptuar politikanë dhe biznesmenë nga 12 vende, duke shpenzuar një total prej afro 800 milionë dollarë.
/abcnews.al