Ish-presidenti kroat Mesiç fajëson Beogradin: Duhet të njohë Kosovën

schedule23:30 - 26 Shkurt, 2019

schedule 23:30 - 26 Shkurt, 2019

Ish presidenti i Kroacisë Mesiç ka fajësuar Beogradin për situatën aktuale me Prishtinën. Sipas tij Serbia fillimisht duhet të njohë Kosovën si shtet i pavarur e vetëm më pas mund të flitet për normalizim marrëdhëniesh mes dy vendeve.

Zoti Mesiq, thatë në Shkup, se Marrëveshja mes Greqisë dhe Maqedonisë i tejkalon kufijt e rajonit. Si e mendoni këtë?

“Mendoj se kjo është e sakt, për shkak se acarimi midis dy vendeve, njëri që tashmë është në Bashkimin Evropian, dhe tjetri që dëshiron të hyjë në Bashkimin Evropian, e dëmton bashkimin evropian, e dëmton zhvillimin demokratik të të gjithë rajonit, por edhe zhvillimin demokratik të Evropës. Prandaj unë konsideroj se kjo është një marrëveshje historike”.

Mendoni se me këtë po hapet një kapitull i ri në rajon?

“Po, një kapitull i ri! Kjo aq më shumë për shkak se mund të shihet, mund të interpretohet, si një mësim se me negociata mund të zgjidhen të gjitha problemet e që gjithmonë marrëdhëniet të mos acarohen”.

Flisni për mësime, zoti President, cili është mendimi Juaj për dialogun mes Prishtinës e Beogradit, një dialog ky që aktualisht është ndërprerë?

“Problemi është në Beograd, për shkak se Beogradi jo vetëm që po gabon këtu, në marrëdhëniet në këtë rajon, por ata gabojnë edhe në marrëdhëniet ndaj Bosnjë dhe Hercegovinës. Sepse Beogradi vazhdimisht pohon botërisht, të gjithë përfaqësuesit e pushtetit, se ata janë për Bosnjë e Hercegovinën e tërë dhe unike, por për gjithçka e mbështesin Milorad Dodikun i cili nuk e njeh Bosnjë e Hercegovinën. Tani, cila është politika e Beogradit: Ajo që mbështet atë që e shkatërron Bosnjë e Hercegovinën ose politika e atyre të cilët e konsolidojnë Bosnjë e Hercegovinën? Përafërsisht Beogradi kështu po sillet edhe ndaj Prishtinës, përgjithësisht ndaj botës shqiptare, për shkak se sikur nuk i kuptojnë faktet historike: Kosova përfundimisht është shtet dhe me të duhet vendosur sa më parë marrëdhënie sa më të ngushta. Në fakt, Beogradi nuk është e thënë ta njohë menjëherë Prishtinën, por duhet patjetër të lejojë që kufijtë të hapen, që njerëzit të komunikojnë, që kapitali të gëzojë të drejtën e qarkullimit, shërbimet të gëzojnë të drejtën e kalimit. Kjo është diçka që Beogradi do të ishte mirë ta kuptojë nga aspekti civilizues”.

Zoti President, Presidenti i Kosovës, por edhe kolegu i tij serb, kohët e fundit po flasin për njëfarë korrigjimi të kufijve, po spekulohet për shkëmbim territoresh, madje edhe të popullsisë!

“Unë nisem nga ajo se arkitektura e vendeve evropiane, këtu përfshij edhe Kosovën, ka përfunduar. Pra, kur një ditë Beogradi dhe Prishtina të vendosin marrëdhënie normale, atëherë mund të flitet për ndonjë çështje alogjike në ndonjë pjesë të kufirit. E dini, asnjë kufi nuk është deri në fund ‘letër e shenjtë’ që të mos mund të ndryshojë diçka, por së pari duhet njohur shtetin me të cilin bisedohet”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!