Ish-Presidenti i Katalonjës kërkon të dëshmojë nga Belgjika

schedule21:28 - 1 Nëntor, 2017

schedule 21:28 - 1 Nëntor, 2017

Avokati i presidentit të shkarkuar të Katalonjës ka bërë me dije se Karles Puixhdemon nuk do të jetë i pranishëm në seancën gjyqësore të së enjtes në Madrid. Ai kërkoi që dëshmia të jepet në Belgjikë. Ndërkohë, mediat spanjolle raportojnë se drejtësia e Madridit mund të shpallë një urdhër-arrest ndërkombëtar për ndalimin e Puixhdemon.

Presidenti i shkarkuar i Katalonjës, Karles Puixhdemond duhet të merret në pyetje në Belgjikë lidhur me hetimin e autoriteteve të Spanjës. Këtë e konfirmoi avokati i liderit të rajonit autonom, Pol Bekaert. “Puixhdemon nuk do të shkojë në Madrid-thotë ai- dhe ka sugjeruar që të merret në pyetje këtu në Belgjikë: kjo është e mundur”. Gjithashtu e njëjta kërkesë për të dëshmuar në Bruksel është parashtruar edhe nga 4 ministra të shkarkuar të qeverisë së Katalonjës.

Por mos paraqitja e Puixhdemon në Gjykatën e Madridit mund t’i shkaktojë lirinë. Burime të drejtësisë iberike të cituara nga media “El Pais” mbështesin se “në rast të një mungese në seancën ku duhet të dëshmojë presidenti i shkarkuar i Katalonjës, gjykatësit spanjollë do t’i dërgojnë Belgjikës një mandat arresti europian”. Dorëzimi i Puixhdemon tek autoritetet e Madridit do të ndodhë brenda 60 ditëve.

Ndërkohë, ky i fundit është shfaqur përsëri me anë të një komenti në tuiter. “Një muaj nga referendumi i Katalonjës, pavarësisht dhunës dhe kërcënimeve të shkuara dhe prezente, vazhdojmë të punojmë”, shkruan Puixhdemon duke nënvizuar se ndihet krenar për popullin e tij.
Presidenti i shkarkuar i rajonit autonom akuzohet nga Spanja për rebelim, kryengritje dhe shpërdorim fondesh publike. Pavarësisht se tha që nuk do të kërkojë azil në Belgjikë, së fundmi ka dalë dhe një uebsajt i liderit separatist. Në të Puixhdemon konsiderohet si president në ekzil. Uebsajti është bërë publik nga vetë lideri i shkarkuar.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!