Ish-presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, është i ftuar në inaugurimin e Donald Trump si president i SHBA-së më 20 janar në Uashington dhe braziliani i ekstremit të djathtë kërkon kthimin e pasaportës së tij, të cilën ua dorëzoi autoriteteve braziliane pas një urdhri gjykate për hetimet lidhur me një përpjekje për grusht shteti në vitin 2023.
Bolsonaro është përjashtuar nga çdo zyrë politike në Brazil deri në vitin 2030 dhe përballet me akuza penale për një tentativë të supozuar për grusht shteti. Mirëpo, ai mohon çdo keqbërje.
Sakaq, ai u urdhërua nga një gjykatës i Gjykatës së Lartë braziliane që të dorëzonte pasaportën e tij në shkurt 2024.
Ftesa për inaugurimin e Trump u konfirmua nga Bolsonaro në një postim në llogarinë e tij në platformën X dhe nga këshilltari i tij, Fabio Weingarten, i cili i tha Reuters se ish-presidenti dëshiron të jetë më 20 janar në Uashington.
Në postimin e tij në X, Bolsonaro tha se ndihej “i nderuar që kishte marrë një ftesë”. Ai tha gjithashtu se avokati i tij, Paulo Bueno, i kishte kërkuar gjyqtarit të Gjykatës së Lartë Alexandre de Moraes që t’ia kthente pasaportën për udhëtim./abcnews.al