Ish-presidenti brazilian mund të përfitojë lirinë me kusht

schedule14:59 - 5 Qershor, 2019

schedule 14:59 - 5 Qershor, 2019

Ish presidenti i Brazilit Da Silva, i cili aktualisht vuan dënimin me burg, pasi u shpall fajtor për korrupsion dhe pastrim parash, mund të përfitojë lirinë me kusht. Ka qenë prokuroria federale, ajo që ia ka kërkuar një gjë të tillë gjykatës së lartë në vend.

Prokuroria federale braziliane i ka dërguar një dokument gjykatës së lartë në vend në të cilin deklaron se ish presidenti Luiz Inacio Lula Da Silva, në burg që nga prilli i 2018-ës, ka kryer tashmë një pjesë të mjaftueshme të dënimit, dhe mund të përfitojë lirinë me kusht.

Lula u shpall fajtor dhe u dënua për korrupsion dhe riciklim parash. Gjykata e shkallës së parë e dënoi atë me 9 vjet e 6 muaj burg, që më pas u bënë 12 vjet dhe një muaj pas vendimit të gjykatës së apelit. Por në muajin prill të këtij viti dënimi iu reduktua në 8 vjet e 10 muaj.

Kërkesa e prokurorisë nuk është vendimtare për gjykatën e lartë, e cila duhet të marrë vendim për rastin e ish presidentit, por data nuk dihet ende. Ligji Brazilian vendos se një i dënuar duhet të ketë kryer të paktën një të gjashtën e dënimit në mënyrë që të mund të përfitojë lirinë me kusht. Por merren parasysh dhe faktorë të tjerë, si për shembull sjellja e të dënuarit./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!