Janis Varufakis, ish-ministri grek i Financës, konfirmoi vendimin e tij për të kandiduar si kryeministër në zgjedhjet e ardhshme në vend. Në një intervistë për një televizion turk, ai theksoi se kjo është një punë e pisët, por dikush duhet ta bëjë.
Ish-ministri grek i Financave, Janis Varufakis, do të kandidojë për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme në Greqi. Ai konfirmoi vendimin gjatë një interviste për televizionin turk TRT.
“Diem25”, lëvizja progresiste pan–europiane e themeluar nga Varufakis, para pak kohësh ka hapur degën e saj greke me emër MeRA25, e cila do të përpiqet të anulojë politikat e shkurtimit të buxhetit, që kanë shkatërruar ekonominë dhe shoqërinë greke gjatë viteve të krizës ekonomike.
Varufakis u shpreh se mund të duket një ankth të jesh kryeministër i Greqisë. Dhe e vërteta, sipas tij, është se kjo është një punë e pisët, por që duhet bërë nga dikush. Ai theksoi se do të kishte dashur mos ta bënte, dhe të mbështeste kryeministrin aktual Tsipras, apo këdo që do të bënte gjënë e duhur për vendin. Por ekonomisti greko-australian, përfundoi duke thënë se ka momente që duhet kaluar nga fjalët tek veprat./abcnews.al