Ish-ministri danez akuzohet për zbulimin e sekreteve shtetërore

schedule03:09 - 15 Janar, 2022

schedule 03:09 - 15 Janar, 2022

Ish-ministri danez i mbrojtjes, Claus Hjort Frederiksen tha të premten se ai ishte akuzuar sipas një ligji që merret me zbulimin e sekreteve shtetërore. Ai nuk tha se për çfarë informacioni akuzohej se kishte nxjerrë, por këmbënguli se nuk do të bënte kurrë asgjë për të dëmtuar Danimarkën. Të hënën u zbulua se ish-shefi i inteligjencës së jashtme po mbahej për të njëjtat akuza.

Lars Findsen ndodhet në burg prej një muaji dhe dyshohet gjithashtu për nxjerrje të informacionit top sekret. Ai i përshkroi akuzat si “të çmendura” dhe tha se do të deklarohej i pafajshëm. Frederiksen tha se kishte folur për një çështje politike, por nuk tha se për cilën. Ai ishte ministër i mbrojtjes për tre vjet deri në vitin 2019 dhe kryetar i Komitetit të Shërbimeve të Inteligjencës raporton “BBC”.

Prokurorët nuk kanë bërë asnjë koment mbi çështjen, por mediat daneze thonë se ish-ministri ishte shfaqur më parë për të konfirmuar ekzistencën e një bashkëpunimi top sekret me SHBA-në, i cili lejoi Uashingtonin të përdorte të dhënat daneze për spiunazh. Në vitin 2020 ai dha një intervistë në të cilën tronditi ekspertët e mbrojtjes duke treguar se qytetarët danezë mund të kapeshin në marrëveshjen sekrete të përgjimeve.

Transmetuesi publik danez “DR” raportoi vitin e kaluar se Shërbimi Informativ i Mbrojtjes kishte ndihmuar Agjencinë e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së për të mbledhur informacione mbi politikanët evropianë, përfshirë kancelaren e atëhershme gjermane, Angela Merkel, nga viti 2012 deri në 2014. NSA u tha se kishte akses në mesazhet me tekst dhe bisedat telefonike duke përgjuar kabllot daneze të internetit në bashkëpunim me Shërbimi Informativ të Mbrojtjes së Danimarkës.

Ish-ministri danez tha në një deklaratë të tij se “mund të konfirmoj se akuzohem sipas nenit 109 të kodit penal për shkelje të kufijve të lirisë sime të shprehjes”. Në kodin penal danez, zbulimi i detajeve të “negociatave, diskutimeve ose rezolutave sekrete” që përfshijnë shtetin përbën tradhti dhe mund të dënohet me 12 vjet burg. / abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!