Ish-lojtari i Tiranës pret që ekipi i tij i zemrës të fitojë derbin

schedule23:47 - 27 Shtator, 2018

schedule 23:47 - 27 Shtator, 2018

Tirana e sotme nuk është e ajo e shumë viteve më parë. Kështu mendon ish-mbrojtësi Rezart Dabulla, i cili gjithsesi uron që derbin ta fitojnë bardheblutë.

Tirana e tij u lodh duke ngritur kupa.

Rezart Dabulla ishte pjesë e atij brezi të madh bardheblu, të pestin dhe të fundit, që la gjurmë të pashlyeshme në futbollin shqiptar. Ish-mbrojtësi i qendrës, tashmë 38-vjeçar, nuk është e kënaqur nga Tirana e sotme, dhe pse urimin për derbin e bën me gjithë zemër.

“Vetëm parashikime që nuk mund të bësh në derbi, por dëshira është që të fitojë Tirana. U bë shumë kohë që nuk ka fituar dhe ka ardhur momenti të tregojë se sa vlen përballë rivalit historik. Nuk e ka nisur mirë kampionatin. Edhe ato pikë që ka lënë t’i fitojë në këtë derbi me Partizanin. Edhe loja nuk ka qenë atje ku duhet. Në derbi nuk ka shumë rëndësi klasifikimi”, tha Dabulla.

Po mbushen 10 vjet që nga titulli i fundit i Tiranës.

“Na vjen keq, por kjo është situata, ky është realiteti. Ka ndryshuar karakteri në fushën e lojës. Kur kemi ardhur fëmijë që kemi luajtur me këtë ekip kemi gjetur ata që ishin para nesh dhe na kanë injektuar këtë lloj karakteri dhe na thonin shiko ku keni ardhur. Keni ardhur në një klub që ka këto parametra. Ne kemi mësuar nga ata që kanë qenë para nesh. Mbase kur kemi lënë ne sportin nuk kemi qenë të aftë që të transmetojmë këtë te lojtarët e rinj dhe për këtë gjë më vjen shumë keq”, u shpreh Dabulla.

Në kohën e tij, Dabulla pati sukses ndaj Partizanit.

“Në gjithë karrierën time te Tirana që nuk është e vogël prej gati 13 vjetësh, unë humbjet në derbi i numëroj me gishtat e njërës dorë”, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!