Ish-kryetari i komunës së Zveçanit: Do t’i përgjigjemi të gjithë atyre që na duan të keqen

schedule14:29 - 27 Qershor, 2023

schedule 14:29 - 27 Qershor, 2023

Ish-kryetari i komunës së Zveçanit, Dragisha Milloviç, gjatë tubimit të sotëm në veri të Mitrovicës, ka kërcënuar se serbët do të përgjigjen nëse, siç e quajti ai, ‘zullumi’ ndaj popullatës serbe në veri do të vazhdojë.

Ai nuk ka precizuar se në çfarë forme do të ndodhë kjo përgjigje.

Sipas tij, serbët do të jenë të bashkuar si kurrë më parë në mbrojtjen e familjeve dhe shtëpive të tyre.

‘Ne serbët nga veriu i Kosovës kemi një porosi, se nëse vazhdon ‘zullumi’ ndaj popullit tonë, do të detyrohemi t’i përgjigjemi të gjithë atyre të cilët na duan të keqen, të cilët ëndërrojnë luftë në vend të paqes, dhe do të jemi të bashkuar në luftën tonë të drejtë për mbijetesë dhe mbrojtjen e shtëpive dhe familjeve tona’, ka thënë Milloviç.

Në tubimin e sotëm në veri të Mitrovicës, ku morën pjesë edhe krerët e Listës serbe, u dëgjua kënga ‘Këtu është Serbi’, dhe u panë flamuj serb, ndërsa disa prej pankartave që bartnin të tubuarit, ishin me mbishkrimet, ‘S’ka  dorëheqje, s’ka dorëzim’, ‘Na lironi vëllezërit e arrestuar’, ‘Kurti, nuk ta japim veriun’, ‘Serbia është nëna jonë, nuk ua jep Kosovën’ dhe të ngjashme.

/KosovaPress/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!